Studentë nga Prishtina, Prizreni e qytete të tjera të Kosovës u mblodhën sot para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, në një protestë paqësore, për të e kundërshtuar padrejtësitë ndaj studentëve shqiptar në këtë shtet.

Ata akuzuan autoritetet e Maqedonisë, për mohim të qëllimshëm të provimit të jurisprudencës në gjuhen shqipe.

“Ne si studentë konsiderojmë që studentët kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit në gjuhën që ata e njohin më mirë. Asnjë student nuk është më pak profesionist, e asnjë jurist nuk është më pak profesionist nëse i nënshtrohet provimit në gjuhën që ai ose ajo e njeh më mirë. Një shtet është edhe më i fortë kur respekton të drejtat e atyre që kërkojnë barazi, dinjitet dhe përfaqësim”, tha Aolta Bajrami, kryetare e Këshillit studentor të Fakultetit Juridik.

E mbështjellë me flamurin e UÇK-së, studentja Diellza Perteshi, kërkoi respektimin e të drejtave gjuhësore e akademike të studentëve shqiptarë në MV.

“Gjuha shqipe nuk është privilegj, është e drejtë e gjithsecilit dhe jemi këtu sot. Jo rastësisht kam me vete flamurin e UÇK-së që ta dërgojmë në vend amanetin e tyre”, theksoi Diellza Perteshi, Parlamenti Studentor në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Studentët e Kosovës thanë se shumë mësues e figura të rëndësishme kanë dhënë jetën për të drejtat e arsimimit dhe ngritjen akademike të shqiptarëve, andaj një diskriminim i tillë nuk do të lejohet.

“Ne sot po e mbrojmë gjuhën tonë, gjuhën shqipe, gjuhën për të cilën ka dhënë jetën Ismet Jashari e Mujdin Aliu. Për këtë gjuhë kemi luftuar me shekuj. Gjuhë për të cilën janë vrarë mësues, janë ndaluar shumë libra dhe janë burgosur mësuesit tanë. Andaj ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm që testi të bëhet edhe në gjuhën tonë, në gjuhën shqipe”, tha Granit Spahiu, student.

“Kërkesa që provimi i jurisprudencës dhe provimet e tjera të mbahen në gjuhën shqipe nuk është kërkesë për privilegj, por është kërkesë për barazi”, u shpreh Donart Humolli, student.

Protesta u përmbyllë në mënyrë paqësore dhe me mesazhin e qartë se arsimimi në gjuhen shqime në MV është e drejtë e panegociueshme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume