TETOVA NUK MUND TË HESHTË!
Për shumicën e qytetarëve të Tetovës, rikthimi i emrit të sheshit “Marshall Tito” në vend të “Ilirisë” dhe zëvendësimi i rrugës “Dervish Cara” me “29 Nëntori” nuk janë thjesht ndryshime administrative. Këto janë goditje ndaj kujtesës historike, identitetit dhe dinjitetit të një qyteti që ka sakrifikuar dhe kontribuar shumë për ruajtjen e vlerave të veta kombëtare.
Është e papranueshme që emra që simbolizojnë historinë dhe rrënjët e këtij populli të zëvendësohen me emërtime që nuk pasqyrojnë ndjenjat dhe realitetin e shumicës së qytetarëve të Tetovës. Akoma më e papranueshme është heshtja dhe mungesa e reagimit të fuqishëm nga ata që morën votat e qytetarëve duke premtuar mbrojtjen e identitetit dhe interesave të tyre.
Tetova nuk ka nevojë për deklarata të vakëta dhe justifikime juridike. Tetova pret që përfaqësuesit e saj të jenë zëri i qytetarëve dhe jo spektatorë të vendimeve që prekin historinë dhe dinjitetin e tyre.
Historia nuk mbrohet me fjalë të mëdha gjatë fushatave zgjedhore, por me qëndrime të qarta dhe veprime konkrete kur vihet në pikëpyetje. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë ata që dje premtonin shumë, ndërsa sot heshtin përballë një vendimi që ka shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi të madhe në Tetovë.
Pedagog : Abdulla Xhaferi .