Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka lavdëruar jashtëzakonisht shumë talentin e Lamine Yamalit, duke e krahasuar me Lionel Messin dhe duke thënë se ai është një nga ata lojtarë të rrallë që “kanë lindur për këtë”.

Pas një sezoni tjetër të shkëlqyer me Barcelonën, ku u shpall “Lojtari i Sezonit” në La Liga, Yamali pritet të jetë figura kryesore e Spanjës në Botërorin 2026.

De la Fuente beson se presioni nuk do ta ndikojë 18-vjeçarin, duke theksuar karakterin e tij të veçantë.

“Lamine ka lindur për këtë. Ai ka një karakter të guximshëm. Ndoshta ky presion do të na kishte mposhtur mua ose ty, por këta djem janë të veçantë,” tha ai për “The Guardian”.

“Sa herë kemi thënë për një lojtar: ‘Sa i mirë ishte, çfarë ndodhi me të, pse nuk ia doli?’ Sepse nuk mjafton vetëm të jesh i mirë në futboll; duhet të jesh i fortë edhe në shumë gjëra të tjera. Lamine ishte 16 vjeç në Europian, tani është 18 dhe përballon një presion mediatik brutal, duke bërë shumë pak gabime. Një minutë, një gabim dhe të gjithë fokusohen aty. Kjo nuk është e drejtë”, shtoi ai.

Trajneri spanjoll mendon se Yamali i përket një kategorie elitare lojtarësh me talent të jashtëzakonshëm, por paralajmëroi se nuk duhet t’i vihet mbi supe barra për t’u bërë “Messi i ri”.

“Futbollistët janë njerëz me aftësi të larta, shumë inteligjentë. Ka gjeni dhe pastaj ka nga ata që janë prekur nga shkopi magjik i Zotit, dhe janë shumë pak të tillë. Lamine, Messi…”, vazhdoi ai.

Së fundmi u bë virale edhe një fotografi e vjetër ku një Messi 20-vjeçar shihej duke larë në vaskë foshnjën Lamine Yamal për një kalendar bamirësie.

Duke komentuar atë foto, De la Fuente tha: “Ndoshta Messi ka mbajtur në duar shumë foshnja. Ndoshta është rastësi. Por për ata që besojnë se ekziston diçka më e madhe, rastësia është pseudonimi i Zotit kur nuk dëshiron të firmosë me emrin e tij. Në jetë, mendoj se gjithçka ndodh për një arsye”.

Trajneri dha gjithashtu lajme pozitive për gjendjen fizike të yllit të Barcelonës, i cili po rikuperohet nga një dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës.

“Po përmirësohet shumë shpejt dhe po arrin objektivat më herët nga sa prisnim. Mendoj se mund të luajë në ndeshjen e parë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të luajë. Do ta vlerësojmë nëse duhet të luajë pak, të mos luajë fare apo të presë ndeshjen e dytë,” tha De la Fuente.

Spanja do ta nisë aventurën në Botëror më 15 qershor kundër Kepit të Gjelbër, me shpresën që Yamali të jetë gati për të udhëhequr skuadrën në një tjetër turne madhor.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume