Një zbulim tronditës është bërë në fshatin Lutoryz, pranë qytetit Rzeszow në Poloni, ku gjatë punimeve në një pronë private janë gjetur mbetje njerëzore që dyshohet se i përkasin mbi 30 personave.
Sipas Prokurorisë Rajonale në Rzeszow, në vendngjarje janë zbuluar gjithashtu sasi të konsiderueshme mbetjesh mjekësore, përfshirë blloqe parafine dhe preparate mikroskopike.
Hetimet paraprake tregojnë se prona kishte qenë më parë në pronësi të një patologu 57-vjeçar, i cili është ndaluar nga autoritetet.
Ekspertët mjeko-ligjorë të dërguar në vendngjarje kanë konfirmuar se mbetjet e sekuestruara i përkasin fetuseve njerëzore.
Autoritetet theksojnë se numri i saktë do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të analizave dhe ekzaminimeve specialistike.
Punimet dhe hetimet në pronë pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera për rastin.