Bashkim Aliu
Vrasja barbare e imamit në komunën e Dragashit, në Republikën e Kosovës, ngjalli reagime të shumta në opinionin publik dhe mbushi hapësirën digjitale si me mesazhe ngushëllimi për familjen që humbi njeriun e saj të dashur, ashtu edhe me komente fyese e gjuhë që nxit urrejtje fetare. Në mesin e këtyre komenteve pati edhe të tilla që shfaqnin një lloj ngazëllimi për vrasjen e një hoxhe, ndërsa disa individë shkuan deri aty sa, me një retorikë skajshmërisht urrejtëse, lavdëruan edhe thikën e vrasësit me të cilën u krye krimi.
Komente të tilla të neveritshme, gjuha kërcënuese dhe nxitja e urrejtjes në platformat digjitale dëshmojnë për anën e errët të disa individëve, të cilët ushqehen me urrejtje ndaj fesë, konkretisht ndaj Islamit dhe figurave të tij fetare. Kjo retorikë denigruese hedh poshtë pretendimet e jo pak analistëve dhe komentuesve në studio të ndryshme televizive, veçanërisht në Kosovë, të cilët jo vetëm e mohojnë ekzistencën e islamofobisë, por edhe e trajtojnë me ironi pyetjen se si është e mundur të ketë islamofobi në një vend me shumicë myslimane.
Megjithatë, hapësira digjitale i ka dhënë secilit mundësinë ta shfaqë publikisht mendësinë dhe qëndrimet e veta në rrjetet sociale. Për pasojë, bie poshtë pretendimi se në një vend me shumicë myslimane nuk mund të ekzistojë islamofobia. Shfaqja e një diskursi islamofob në hapësirën digjitale, pikërisht në çaste kur pritet të mbizotërojnë empatia dhe solidariteti me viktimën dhe familjen e saj, dëshmon për krizën e thellë morale që ka përfshirë disa individë, të cilët prej kohësh ndërtojnë dhe ushqejnë një diskurs publik negativ ndaj Islamit dhe myslimanëve në një pjesë të mediave në Kosovë dhe gjithandej në trojet shqiptare.
Pikërisht kjo retorikë islamofobe, e pranishme shpesh në disa media, i nxit elementë të tillë urrejtës që, edhe përballë tragjedive personale ose familjare, ta derdhin të gjithë mllefin e tyre mbi Islamin dhe myslimanët, deri në atë pikë sa të lavdërojnë vetë krimin dhe autorin e tij.
Një gjuhë e tillë urrejtjeje, në fund, nuk dëmton vetëm komunitetin që shënjestrohet, por edhe vetë shoqërinë dhe imazhin e Kosovës si shtet. Fatkeqësisht, është bërë gjithnjë e më i dukshëm një trend i stigmatizimit të teologëve myslimanë dhe të rinjve besimtarë, të cilët etiketohen si “argatë të huaj”, duke u harruar se këto cilësime u drejtohen shqiptarëve pa asnjë provë dhe pa asnjë bazë faktike. Në thelb, i vetmi “fakt” mbi të cilin mbështeten akuza të tilla është urrejtja e shfrenuar e disa individëve ndaj Islamit dhe myslimanëve. Për më tepër, me një diskurs të tillë krijohet para opinionit ndërkombëtar një imazh i shqiptarëve myslimanë si “të radikalizuar”, “ekstremistë”, “të prapambetur” ose “antievropianë”, duke dëmtuar kështu jo vetëm individët e shënjestruar, por edhe reputacionin e shqiptarëve në përgjithësi.
Kur njeriu sheh se sa shumë kundërmon hapësira digjitale nga gjuha e urrejtjes, komentet fyese dhe denigruese, madje edhe në raste tragjike, e kupton se sa e dëmshme është urrejtja fetare për kohezionin shoqëror dhe për kauzën kombëtare. Për disa islamofobë, urrejtja ndaj Islamit dhe myslimanëve duket se ka përparësi ndaj vlerave njerëzore, si empatia, solidariteti dhe ruajtja e imazhit të shqiptarëve në sytë e botës.
Komente të tilla, të mbushura me urrejtje fetare, ngrenë pyetjen se deri në ç’masë brezi i sotëm ka arritur ta ruajë harmoninë ndërfetare, të cilën brezat e mëparshëm e kultivuan me përkushtim dhe na e lanë trashëgimi të çmuar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare. Nëse sot lindin dyshime për ekzistencën e një harmonie të mirëfilltë ndërfetare ndër shqiptarë, kjo nuk është për shkak të besimtarëve, teologëve myslimanë apo institucioneve fetare, por si pasojë e diskursit islamofob të atyre që nuk hezitojnë të përdorin gjuhë fyese, denigruese dhe kërcënuese ndaj Islamit dhe myslimanëve.
Për fat të keq, rrjetet sociale po krijojnë një perceptim gjithnjë e më negativ për tolerancën dhe harmoninë ndërfetare në mesin e shqiptarëve. Kjo ndodh sepse rrugaçëria digjitale ka pushtuar një pjesë të konsiderueshme të hapësirës virtuale, duke e mbushur atë me komente fyese, gjuhë urrejtjeje dhe nxitje të armiqësisë fetare. Mjafton të lexohet seksioni i komenteve në një postim për të vërejtur dhjetëra reagime që pasqyrojnë urrejtjen e disa individëve ndaj shqiptarëve myslimanë. Kur këto komente shfaqen edhe në publikime që lidhen me ngjarje tragjike, fenomeni merr përmasa edhe më shqetësuese.
Fyerjet ndaj personaliteteve fetare islame, si edhe komentet denigruese e fyese, të pambështetura në argumente dhe të shkëputura nga çdo formë e kritikës së arsyeshme, hasen shpesh në postimet e teologëve myslimanë, si në faqet e tyre zyrtare, ashtu edhe në publikimet e shpërndara në platforma të tjera. Kjo ndodh edhe kur përmbajtja e këtyre postimeve nuk sulmon, nuk fyen dhe nuk nënçmon askënd, por paraqitet me gjuhë të matur, qytetare dhe respektuese.
Kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me kritikë të argumentuar, por me një qëndrim që buron nga paragjykimi dhe urrejtja ndaj shqiptarit që i përket besimit islam, qoftë ai si individ, si pjesëtar i komunitetit mysliman, si teolog apo si përfaqësues i institucioneve fetare islame në trojet shqiptare. Në shumë raste, objekt i kësaj urrejtjeje bëhet edhe vetë komuniteti mysliman në tërësi.
Një retorikë e tillë, e cila po bëhet gjithnjë e më e pranishme në disa media dhe në hapësirën digjitale, rrezikon ta shtyjë shoqërinë drejt polarizimit dhe përplasjeve mbi baza fetare, dukuri që nuk kanë qenë pjesë e traditës shqiptare. Njëkohësisht, ajo ushqen një frymë përjashtuese dhe diskriminuese, e cila i shënjestron shqiptarët myslimanë si objekt sulmi dhe, në vend që të kontribuojë në forcimin e unitetit kombëtar, cenon bashkëjetesën dhe mirëkuptimin që kanë karakterizuar historikisht shoqërinë shqiptare.
O Zot mëshiroje viktimën dhe mbroje familjen e tij dhe të gjithë njerëzimin nga e keqja e të këqinjve.