Aliu: Përparimi në dhurimin e organeve është një nga proceset më të suksesshme të përfunduara në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, mbajti sot një press-konferencë së bashku me koordinatoren kombëtare për transplantim, prof. dr. Biljana Kuzmanovska, në të cilën informuan për zbatimin e modulit në sistemin “Termini im” për evidentimin e vullnetit të qytetarëve për të qenë dhurues organesh.
“Me press-konferencën e sotme po e përmbyllim një nga proceset më njerëzore, më të guximshme dhe më të suksesshme që kemi udhëhequr në shëndetësi. Me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, shteti bëri një hap të madh përpara. Nga një temë që për një kohë të gjatë jetoi nën velin e frikës dhe për të cilën flitej në korridoret e spitaleve, arritëm ta shndërrojmë në një temë për të cilën flitet publikisht, me përgjegjësi dhe dinjitet. Me këto ndryshime ligjore, çdo qytetar madhor, gjatë vizitës te mjeku i tij amë, do të mund të deklarohet nëse dëshiron ose nuk dëshiron që pas vdekjes të jetë dhurues organesh. Moduli në “Termini im”, përmes të cilit do të regjistrohet vullneti i qytetarëve, tashmë është zhvilluar”, theksoi ministri Aliu.
Ai informoi se gjatë vizitës te mjeku amë, çdo qytetar madhor do të mund të deklarohet qartë nëse pajtohet ose nuk pajtohet që pas vdekjes të jetë dhurues i organeve dhe indeve për qëllime mjekimi. Para se ta japë deklaratën, mjeku amë do të ketë detyrimin ta informojë qytetarin për rëndësinë e vendimit, për pasojat e tij juridike dhe për të drejtën që ky vendim të mund të ndryshohet në çdo kohë. Deklarata do të nënshkruhet personalisht, do të vërtetohet nga mjeku amë dhe do të arkivohet, ndërsa më pas, si dokument i skanuar, do të regjistrohet në listën kombëtare në kuadër të Sistemit Kombëtar të Evidencave Elektronike në Shëndetësi.
“Qasja në këto të dhëna do të jetë rreptësisht e kufizuar, e kontrolluar dhe e evidentuar, që do të thotë se çdo qasje në sistem do të lërë gjurmë dhe do të lejohet vetëm për persona të autorizuar të përcaktuar saktësisht. Për më tepër, qytetari do të mund ta ndryshojë vendimin e tij në çdo kohë duke dhënë një deklaratë të re te mjeku i tij i zgjedhur, ndërsa gjithmonë do të vlejë deklarata e fundit e regjistruar. Paralelisht me zhvillimin e këtij moduli, po punohet edhe për aktin nënligjor dhe rregulloren, me të cilat do të rregullohen më saktë lista kombëtare, qasja në të dhëna, forma e deklaratës dhe mënyra e dhënies dhe ndryshimit të saj”, shtoi Aliu.
Njëkohësisht, ministri shprehu mirënjohje ndaj koordinatores kombëtare, prof. dr. Biljana Kuzmanovska, ekipeve të transplantimit, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë atyre që e mbështetën fushatën dhe që janë pjesë e sistemit të dhurimit të organeve dhe transplantimit.