Një praktikante kanadeze në selinë ushtarake të NATO-s në Belgjikë është arrestuar nën dyshimet për spiunazh në favor të një shteti të tretë, njoftuan autoritetet belge.

Zyra e Prokurorit Federal të Belgjikës bëri të ditur se gruaja, “me origjinë kineze”, u arrestua të premten.

“Ajo dyshohet për spiunazh në emër të një shteti të tretë dhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë, e cila nuk identifikon as shtetin për të cilin dyshohet se spiunonte dhe as organizatën kriminale.

Sipas autoriteteve, rasti u zbulua fillimisht nga shërbimet e sigurisë në Komandën Supreme të Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), pranë qytetit Mons në Belgjikë. Më pas çështja iu referua shërbimeve belge të inteligjencës, të cilat nisën hetimet.

Si pjesë e hetimit, të enjten u kryen kontrolle në banesën dhe vendin e punës së të dyshuarës, ndërsa një gjyqtar urdhëroi arrestimin e saj një ditë më vonë.

Prokuroria belge nuk dha detaje të tjera mbi çështjen, duke deklaruar se nuk do të komentojë më tej për shkak të hetimeve në vijim.

Nga ana e saj, NATO konfirmoi se SHAPE po bashkëpunon me autoritetet belge.

“Në këtë moment nuk ka asnjë tregues se gatishmëria operacionale e NATO-s, strukturat e komandës dhe kontrollit apo misionet në zhvillim janë prekur”, deklaroi zëdhënësi i SHAPE, koloneli Martin O’Donnell.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume