Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një
takim pune me përfaqësues të bankës gjermane për zhvillim KfW, ku u shqyrtuan
aktivitetet aktuale dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën
e efikasitetit energjetik.
Në qendër të bisedimeve ishin aktivitetet aktuale që KfW mbështet për rinovimin
energjetik të konvikteve studentore, si dhe hapat e ardhshëm për zgjerimin e
investimeve në rinovimin e objekteve publike dhe komerciale, me qëllim uljen e
konsumit të energjisë, përmirësimin e kushteve të përdorimit dhe arritjen e kursimeve
financiare afatgjata.
„Efikasiteti energjetik është një nga mënyrat më të leverdishme për të krijuar shërbime
publike me cilësi më të lartë, kosto më të ulëta dhe një sistem energjetik më të
qëndrueshëm. Qëllimi ynë është të zgjerojmë shtrirjen e projekteve të tilla dhe të
krijojmë një sistem që do të sjellë rezultate të matshme për institucionet dhe qytetarët”,
theksoi ministrja Sanja Bozhinovska.
Në takim u bë gjithashtu një vlerësim i praktikave të suksesshme që zbatohen në vendet
e rajonit, ndërsa u shqyrtuan edhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin
e modeleve të dëshmuara në Maqedoni, me qëllim realizimin më të shpejtë të
investimeve të ardhshme në fushën e efikasitetit energjetik.
Theks i veçantë iu kushtua edhe krijimit dhe vënies në funksion të sistemit EPC, i cili
përfaqëson një mjet kyç për monitorimin, verifikimin dhe menaxhimin e certifikatave të
efikasitetit energjetik. Funksionimi i tij i plotë operacional do të mundësojë transparencë
më të madhe, monitorim më të mirë të rezultateve të masave të zbatuara dhe planifikim
më cilësor të investimeve të ardhshme.
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale vazhdon të forcojë partneritetet
me institucionet financiare ndërkombëtare, me një qëllim të qartë – më shumë investime
në efikasitetin energjetik, infrastrukturë publike më moderne dhe zhvillim të
qëndrueshëm energjetik, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume