Agjencia e Shëndetit Publik të Francës ka njoftuar se vendi regjistroi 5.764 vdekje të tepërta gjatë valës së jashtëzakonshme të të nxehtit që përfshiu vendin nga 17 qershori deri më 2 korrik, transmeton Anadolu.

Agjencia tha se rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet ende nuk mund t’i atribuohet me siguri temperaturave të larta.

Sipas Agjencisë së Shëndetit Publik, ky bilanc paraprak përfaqëson nivelin më të lartë të vdekshmërisë së tepërt të regjistruar në Francë që nga vala e të nxehtit e vitit 2003.

Autoritetet thanë se të dhënat do të konsolidohen gjatë muajve të ardhshëm.

Agjencia bëri të ditur se vdekshmëri e tepërt është vërejtur në të gjitha grupmoshat mbi 15 vjeç, me një “rritje të theksuar” duke filluar nga mosha 45-vjeçare, duke e cilësuar këtë prirje si “të paprecedentë”.

Shifrat e përditësuara përfshijnë edhe certifikatat e vdekjes në letër, të cilat nuk ishin përfshirë në vlerësimet e mëparshme, veçanërisht rastet e personave të gjetur të vdekur në shtëpitë e tyre.

Më 3 korrik, ministrja franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, kishte raportuar të paktën 2.025 vdekje shtesë midis 22 dhe 28 qershorit, duke theksuar se shifrat ishin të paplota, pasi autoritetet ende nuk i kishin marrë të gjitha raportet për vdekjet.

Në atë kohë, në bilancin paraprak ishin përfshirë vetëm certifikatat elektronike të vdekjes.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume