Enti Shtetëror për Revizion njoftoi se serveri i tij ka qenë objekt i një sulmi kibernetik, gjatë të cilit nga adresa zyrtare elektronike e drejtorit Maksim Acevski po dërgohen mesazhe fishing, përkatësisht mesazhe mashtruese.

Sipas njoftimit, mesazhet e dyshimta u janë dërguar marrësve në mbarë Maqedoninë e Veriut, por edhe bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë të institucionit. Nga Enti u bëjnë thirrje qytetarëve dhe institucioneve të mos i hapin këto mesazhe dhe të mos klikojnë në lidhjet (linket) që ato përmbajnë.

Sektori i Teknologjisë së Informacionit tashmë është duke punuar për eliminimin e problemit, ndërsa rasti është raportuar edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ndërkohë, faqja zyrtare e Entit Shtetëror për Revizion funksionon normalisht dhe në të vazhdojnë të publikohen raportet e revizionit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume