Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, ka akuzuar VLEN-in dhe BDI-në se, sipas saj, me veprimet e tyre po i shërbejnë VMRO-DPMNE-së në procesin e miratimit të Kodit të ri Zgjedhor.

Ajo pretendon se ndryshimet e propozuara do t’ua pamundësojnë shqiptarëve të diasporës votimin elektronik ose me postë edhe në zgjedhjet lokale, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore në disa komuna me shumicë shqiptare.

Në një reagim publik, Dauti iu drejtua qytetarëve shqiptarë duke vlerësuar se dy blloqet politike shqiptare, ndonëse në pozita të ndryshme, po veprojnë në favor të VMRO-DPMNE-së.

“Shqiptarë të dashur, VLEN dhe BDI po bashkëpunojnë, secili në mënyrën e vet, për t’i bërë hyzmetin VMRO-së”, deklaroi Dauti.

Sipas saj, kjo është dëshmuar së fundmi me nënshkrimin e Kodit të ri Zgjedhor të propozuar nga VMRO-DPMNE, për të cilin ajo thotë se përjashton diasporën nga mundësia e votimit elektronik ose me postë edhe në zgjedhjet lokale.

“Së fundmi, kjo u pa edhe me nënshkrimin e Kodit të ri Zgjedhor të propozuar nga VMRO, me të cilin diasporës po i ndalohet votimi elektronik ose me postë edhe për zgjedhjet lokale. Me këtë përjashtim, ata po ia mundësojnë VMRO-së fitoret e ardhshme në Kërçovë, Bërvenicë dhe Butel”, u shpreh deputetja.

Dauti komentoi edhe deklaratat e fundit të përfaqësuesve të VLEN-it, të cilët, sipas saj, kanë shprehur pendesë për mbështetjen e dhënë.

“Kujdes: Sot thonë se ‘janë bërë pishman’. Por nëse LSDM dhe Levica i tërheqin amendamentet e tyre, si do ta bllokojnë këta Komisionin kur afati ka kaluar?”, pyeti ajo.

Deputetja e Lidhjes Shqiptare vlerëson se zgjidhja e vetme do të ishte mbështetja e amendamenteve të paraqitura nga partia e saj, të cilat, sipas saj, synojnë të pengojnë miratimin e dispozitave që kufizojnë të drejtën e votës së diasporës.

“Më korrekte do të ishte ta pranojnë gabimin dhe t’u bashkohen amendamenteve të Lidhjes Shqiptare, të cilat janë dorëzuar pikërisht për të bllokuar këtë Kod që e përjashton mërgatën nga votimi elektronik apo me postë edhe në zgjedhjet lokale”, theksoi Dauti.

Në fund të reagimit, ajo deklaroi se, sipas saj, veprimet e subjekteve politike shqiptare në këtë proces përbëjnë dëm për interesat e shqiptarëve dhe duhet të denoncohen publikisht.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume