Këshilli i Komunës së Gostivarit vendosi unanimisht që t’i ndajë 600 mijë denarë Kryqit të Kuq për aktivitete që lidhen me përballimin e epidemisë në territorin e komunës.
Fondet do të përdoren për furnizimin dhe shpërndarjen e ujit të pijshëm, probiotikëve dhe mjeteve të tjera të nevojshme për qytetarët e rrezikuar nga epidemia.
Përveç këtij vendimi, anëtarët e Këshillit në seancën e jashtëzakonshme shqyrtuan përmes diskutimeve të shkurtra situatën që u krijua pas shpalljes së një situate epidemike në territorin e Komunës së Gostivarit.
Në diskutimet u theksua se gjatë kësaj periudhe nevojiten solidaritet dhe veprim i përbashkët, jo përçarje politike.
Këshilltarët e përshëndetën edhe vendimin për formimin e një shtabi krize, që pritet të mblidhet së shpejti dhe të propozojë masa specifike për përballjen me gjendjen.
Disa nga këshilltarët në diskutimet theksuan se qytetarët kanë nevojë për përgjigje në pyetjet rreth mundësisë së përdorimit të ujit dhe cilat janë rezultatet e analizave të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit.