Mickoski: Maqedonia vazhdon me zbatimin e reformave, forcimin e ekonomisë, institucioneve dhe sundimit të së drejtës
Takimi dhe vizita e sotme përfaqësojnë një mundësi për një bisedë të hapur, të sinqertë dhe thelbësore për perspektivën tonë evropiane, për reformat që po zbatojmë dhe për nevojën që procesi i zgjerimit të mbetet parimor ndaj vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian – besimi, parashikueshmëria, trajtimi i barabartë dhe respektimi i dinjitetit të çdo shteti kandidat.
Gjatë periudhës së kaluar prej dy vitesh, Qeveria tregoi se reformat nuk janë një përcaktim deklarativ, por një punë konkrete që matet përmes rezultateve, përmes ndryshimeve institucionale, përmes treguesve ekonomikë dhe përmes krijimit të kushteve më të mira për jetesën e qytetarëve. Qëllimi ynë është ndërtimi i institucioneve funksionale, sundimi më i fortë i së drejtës, një administratë publike më efikase, një ekonomi konkurruese dhe një ambient që do të forcojë besimin e qytetarëve dhe të investitorëve.
Këtë nuk e bëjmë sepse dikush e kërkon nga ne, por sepse besojmë se kjo është e vetmja rrugë e drejtë për zhvillimin e atdheut tonë dhe për krijimin e institucioneve stabile që do të mund t’u përgjigjen nevojave të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme.
Në këtë proces, ne e vlerësojmë mbështetjen që marrim nga Komisioni Evropian, si dhe ndihmën profesionale dhe financiare që kontribuon në realizimin më të shpejtë dhe më cilësor të reformave.
Njëkohësisht, presim që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në kritere të qarta, në vlera dhe në përmbushjen e detyrimeve reformuese, e jo një proces i ngarkuar me çështje dypalëshe që krijojnë pasiguri te qytetarët maqedonas.
Qytetarët prej vitesh kanë treguar një përkushtim të qartë ndaj idesë evropiane. Gjatë kësaj periudhe janë marrë vendime të vështira, janë ndërmarrë obligime serioze dhe janë bërë hapa të rëndësishëm me bindjen se çdo kriter i përmbushur do të vlerësohet në mënyrë objektive dhe të parashikueshme. Prandaj, sot është e rëndësishme të ekzistojë besimi se procesi do të vazhdojë sipas të njëjtave rregulla që vlejnë për të gjithë kandidatët dhe për të gjitha shtetet që kanë qenë kandidate.
Përkushtimi ynë mbetet i pandryshuar. Ne do të vazhdojmë me reformat, do ta forcojmë ekonominë, institucionet dhe sundimin e së drejtës, sepse kjo është në interes të qytetarëve dhe sepse vlerat evropiane i kuptojmë si vlera që duhet të jenë pjesë e funksionimit të përditshëm të institucioneve.
Njëkohësisht, mbetemi konsekuentë në qëndrimin se çdo zgjidhje e qëndrueshme duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë, mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe një perspektivë të qartë e të parashikueshme evropiane.
Besoj se bisedimet e sotme do të kontribuojnë në një mirëkuptim më të mirë të ndërsjellë dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Bashkimin Evropian, të bazuar në besim, respekt dhe përgjegjësi të përbashkët për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.