Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nga Komuna e Ilindenit deklaroi se në të gjithë vendin janë duke u realizuar mbi 1.200 projekte komunale, të financuara përmes mjeteve të rialokuara nga buxheti qendror, ndërsa paralajmëroi edhe një thirrje të tretë për financimin e projekteve të reja informon Tetovasot.
Sipas tij, një pjesë e projekteve tashmë kanë përfunduar, të tjera janë në realizim, ndërsa një numër më i vogël do të nisin së shpejti.
“Është mirë që ndërtohet. Maqedonia sot është një kantier i madh ndërtimi. Pres që vitin e ardhshëm ta përmbyllim ciklin e projekteve nga thirrja e parë dhe e dytë, ndërsa më pas të hapim edhe thirrjen e tretë, pasi komunat tashmë po përgatisin projekte të reja”, deklaroi Mickoski.
Ai përgëzoi kryetarin e Komunës së Ilindenit, Aleksandar Georgievski, duke vlerësuar punën e tij, si edhe këshilltarët komunalë, administratën lokale, deputetët dhe anëtarët e Qeverisë për mbështetjen në realizimin e projekteve.
Mickoski tha se, sipas tij, vendi po kalon nga një periudhë kur ishte “i plaçkitur, i poshtëruar dhe i turpëruar”, në një fazë ku fokusi është zhvillimi dhe ndërtimi.
“Po ndryshojmë pamjen e Maqedonisë dhe si Qeveri do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Uroj që të kemi sa më shumë projekte të tilla”, theksoi kryeministri.TS
google.com/url?q=https://us.list-manage.com/mo_BtLvG705?e%3D6fd554c317%26c2id%3Dd627b1c1e05a845717c1d9183346ff2a&source=gmail&ust=1785320437027000&usg=AOvVaw1zzORDUC0IxAVd1cWtsgEj