Miteva: Më 16 gusht në Strumicë do të mbahet një tjetër ngjarje e madhe për 35-vjetorin e pavarësisë
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, njoftoi nga Parku i Qytetit në Strumicë se më 16 gusht do të organizohet një tjetër manifestim i madh në kuadër të shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë informon Tetovasot.
Ajo theksoi se Qeveria ka premtuar që përvjetori të shënohet me aktivitete në disa qytete të vendit, me synimin për të afruar festimet te qytetarët dhe për të forcuar ndjenjën e unitetit.
“Jam e bindur se ngjarja që po e paralajmërojmë sot do të tërheqë vizitorë nga e gjithë Maqedonia, sepse një jubile i tillë meriton të shënohet me dinjitet”, deklaroi Miteva.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ajo rikujtoi se programi festiv nis më 2 gusht me një koncert të madh në Manastir, ndërsa gjatë gjithë muajit gusht do të organizohen aktivitete në qytete të ndryshme me pjesëmarrjen e mbi 120 artistëve maqedonas.
Sipas saj, programi do të kulmojë me dy ngjarje të mëdha:
më 1 shtator, me koncertin e tenorit José Carreras, së bashku me artistë maqedonas;
më 8 shtator, me koncertin e DJ-së botëror David Guetta në Stadiumin e Qytetit.
Miteva theksoi se të gjitha aktivitetet do të shpallen në mënyrë graduale dhe janë pjesë e konceptit të Qeverisë për ta shënuar në mënyrë dinjitoze 35-vjetorin e pavarësisë së vendit.TS