Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, realizoi takim me Koordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Rita Kolumbia, dhe Marko Vujaçiq nga Zyra e UNOPS, ku u shqyrtuan prioritetet në reformën e sistemit të drejtësisë dhe hapat e ardhshëm për modernizimin dhe avancimin e sistemit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes profesionale që Organizata e Kombeve të Bashkuara ofron në proceset reformuese, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe digjitalizimin e drejtësisë, si një nga parakushtet kryesore për shërbime më të shpejta, më cilësore dhe më të qasshme për qytetarët.

Në kuadër të bashkëpunimit të ardhshëm u përcaktuan aktivitetet e mëtejshme të orientuara drejt modernizimit të vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë në,avancimin e sistemit AKMIS , krijimin e një sistemi për dorëzim elektronik në procedurat gjyqësore ,përmirësimin e sistemit për incizimin audio dhe video të seancave gjyqësore ,përmirësimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet institucioneve, forcimin e sigurisë kibernetike në sektorin e drejtësisë.

Përvojat që UNOPS tashmë i ka realizuar në vendet e rajonit paraqesin një bazë të rëndësishme për mbështetjen e proceseve reformuese edhe në vendin tonë.

Partneriteti me Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka një rol të rëndësishëm në zbatimin e reformave dhe në harmonizimin e legjislacionit vendor dhe praktikave institucionale me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, me qëllim krijimin e një sistemi modern, efikas dhe të qasshëm të drejtësisë për qytetarët.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume