Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mbajti fjalim në hapjen e programit të trajnimit për Menaxhimin e Ciklit të Projekteve në kuadër të iniciativës IPABRIDGE, i cili po mbahet në Shkup nga 28 deri më 31 korrik 2026.

Në fjalën e tij, Ministri Sali shprehu mirënjohje të veçantë ndaj Qeverisë së Republikës së Türkiye-s, Drejtorisë për Çështje të Bashkimit Evropian dhe partnerëve turq për mbështetjen e vazhdueshme, bashkëpunimin e sinqertë dhe gatishmërinë për të ndarë ekspertizë dhe përvojë praktike.

“Türkiye ka qenë dhe vazhdon të jetë një partner i besueshëm në rrugën tonë evropiane. Mbështetja e saj në ngritjen e kapaciteteve administrative dhe institucionale është me rëndësi të veçantë për përgatitjen e vendit tonë për përgjegjësitë që lidhen me anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Evropian”, theksoi Sali.

Programi i trajnimit përfshin tema të rëndësishme si menaxhimi i ciklit të projekteve, korniza financiare IPA III, analiza e palëve të interesit, matrica e kornizës logjike, buxhetimi, monitorimi dhe raportimi. Qëllimi është forcimi i njohurive dhe aftësive praktike të administratës për përgatitjen dhe zbatimin më cilësor të projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian.

Ministri Sali theksoi se bashkëpunimi me Türkiye-n do të vazhdojë dhe do të zgjerohet edhe në të ardhmen përmes aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe iniciativave për forcimin e kapaciteteve institucionale.

“Presim që ky partneritet të vazhdojë të zhvillohet dhe të sjellë rezultate konkrete për institucionet tona dhe për qytetarët”, përfundoi Ministri Sali.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume