Së pari do të duhet të bëhet hiperklorinimi i sistemit të ujësjellësit në Gostivar që uji të mund të përdoret si ujë teknik, e pastaj si ujë i pijshëm, tha sot ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murat” në Gostivar.

Tërë 22 ditë pompa kanë futur ujë me fekale në rrjetin e qytetit, ndërsa Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) sot apeloi se uji ende nuk mund të përdoret. Në qytet ka mbi 3.150 të infektuar dhe nga 19 korriku është shpallur epidemi.

Qeveria sot shpalli gjendje krize 30-ditore në Komunën e Gostivarit, me qëllim koordinim më të shpejtë të institucioneve, vënien në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimin e ujit të pijshëm në kohën më të shkurtër të mundshme.

“Informacioni i parë që kam marrë nga një pjesë e ekspertëve është se do të duhet të veprojmë në drejtim të hiperklorinimit të sistemit, i cili brenda një kohe të shkurtër duhet ta kthejë tubacionin në gjendje normale, që uji fillimisht të përdoret si ujë teknik, e më vonë të mund të përdoret si ujë për pije”, tha Toshkovski.

Ministri, i cili kryeson Komitetin Drejtues në Qeveri, tha se sot pas marrjes së vendimit ka kërkuar nga kryetari i Bashkisë së Shkupit, Orce Gjorgjievski, që menjëherë në Gostivar të dërgohen ekipe ekspertësh nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellës” dhe së bashku me dy departamentet përgjegjëse në kuadër të Qytetit të Shkupit – një për kontrollin e cilësisë së ujit dhe tjetri për marrjen e masave të nevojshme për kthimin e ujit në gjendje normale.

Qëllimi është që sa më shpejt të konstatohet gjendja faktike aktuale, e pastaj të reagohet në mënyrë të duhur për kthimin e cilësisë së ujit të nevojshme. Fillimisht të kemi cilësi të përshtatshme uji për përdorim teknik, e më vonë në hapin e dytë të kemi cilësi të përshtatshme për ujë të pijshëm, të cilin, për fat të keq, tani nuk e kemi.

Ministri i Shëndetësisë, Sašo Klekovski, tha se sipas të dhënave nga institucionet shëndetësore publike në Gostivar, dje vazhdoi trendi i uljes së numrit të pacientëve të rinj të ekzaminuar, pra personave që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të gastroenteritit.

Në Spitalin e Përgjithshëm Gostivar janë regjistruar 111 ekzaminime të reja në repartin infektiv, 65 në repartin pediatrik dhe 7 në Qendrën Urgjente, pra gjithsej 183 ekzaminime. Në Qendrën Shëndetësore Gostivar janë regjistruar 110 ekzaminime, si dhe 25 thirrje në Ndihmën e Shpejtë Mjekësore.

Prokuroria Themelore Publike Gostivar ka hapur hetime dhe ka kërkuar paraburgim 30-ditor për drejtoreshën e ndërmarrjes publike “Komunalec” në Gostivar dhe për dy udhëheqës sektorësh, të cilët dyshohen për vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume