Akademia e Shkëndijës ka hyrë në një fazë vendimtare të përgatitjeve për sezonin e ri, ndërsa prej disa ditësh kanë nisur stërvitjet intensive të tre gjeneratave që këtë vit do të garojnë në Superligën e Maqedonisë së Veriut, raporton Tetovasot.
Sezoni i ri sjell edhe ndryshime të rëndësishme në organizimin e akademisë. Për herë të parë, për shkak të sistemit të ri të garimit, gjeneratat U18 dhe U19 janë bashkuar në një ekip të vetëm, i cili do të udhëhiqet nga trajneri Bekim Osmani, një emër i njohur për punën e tij me talentët e rinj.
Ndërkohë, gjenerata U17 do të drejtohet nga Taxhedin Kasami – Taki, ndërsa përgjegjësinë për zhvillimin e gjeneratës U16 e ka marrë Agron Memedi. Bëhet fjalë për tre trajnerë me përvojë dhe cilësi të larta, të cilët tashmë kanë nisur punën intensive për ta përgatitur ekipin sa më mirë për sfidat e sezonit të ri, raporton Tetovasot.
Shkëndija vazhdon të mbështetet fuqishëm te akademia e saj, e cila prej vitesh prodhon futbollistë cilësorë për ekipin e parë dhe për futbollin shqiptar në vend. Në stërvitje po marrin pjesë shumë futbollistë të talentuar, të cilët synojnë të konfirmojnë potencialin e tyre në elitën e futbollit të moshave.
Rezultatet e sezonit të kaluar janë dëshmi e punës serioze që është bërë në akademi. Gjenerata 2010 u shpall kampione, ndërsa gjenerata 2009 e mbylli kampionatin si nënkampione, duke treguar se baza e kuqezinjve vazhdon të jetë ndër më cilësoret në vend.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë futbollistë të kompletuar dhe të përgatitur për ekipin e parë. Çdo stërvitje është një hap drejt këtij objektivi dhe përkushtimi i lojtarëve është maksimal,” është vlerësimi që vjen nga stafi teknik gjatë fazës përgatitore, raporton Tetovasot.
Në kampin kuqezi mbizotëron optimizëm se edhe këtë sezon akademia do të vazhdojë të jetë një prej forcave kryesore të futbollit të moshave, me synimin për të luftuar sërish për tituj kampioni dhe për të nxjerrë emrat e rinj që nesër do të veshin fanellën e ekipit të parë të Shkëndijës.