Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Vali Nasr, thotë se Donald Trump po ndërmerr një rrezik të madh duke tentuar të ndryshojë marrëveshjen me Iranin përmes rikthimit te presioni ushtarak. Sipas tij, konflikti tashmë ka kaluar përtej çështjes bërthamore dhe është përqendruar te kontrolli i ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike që Teherani e konsideron avantazhin e tij kryesor.

“Trump po luan me fatin. Ai e ka kuptuar se marrëveshja ishte një fitore për Iranin dhe tani po përpiqet ta ndryshojë atë duke u kthyer te lufta”, shprehet Nasr.

I pyetur nëse bota po rikthehet në një luftë të hapur, ai përgjigjet: “Ajo ka nisur prej disa ditësh. Është paksa ndryshe nga faza e parë, por është luftë”.

Sipas tij, përshkallëzimi erdhi pas një keqkuptimi nga të gjitha palët, të cilat menduan se memorandumi i mirëkuptimit do të sillte fundin e konfliktit. “SHBA-të nuk ishin të kënaqura dhe tani duan t’i heqin Iranit kontrollin mbi ngushticën e Hormuzit, sepse ajo është arma më e fuqishme e Teheranit në negociatat reale për çështjen bërthamore”, thotë ai.

Nasr argumenton se Irani nuk beson se do të ketë lehtësim të sanksioneve apo zhbllokim të pasurive të ngrira. “Ata nuk po zgjedhin mes Hormuzit dhe parave, sepse para nuk kishte. Sipas tyre, kishte vetëm kërkesën amerikane për të marrë gjithçka pa dhënë asgjë”, shpjegon ai.

Sipas profesorit, Teherani nuk ka arsye të heqë dorë nga avantazhi i tij strategjik pa përfitime konkrete. “Ata duan të negociojnë për programin bërthamor nga një pozicion force dhe Hormuzi është karta e tyre kryesore”, thotë Nasr.

Duke folur për strategjinë e Trumpit, ai shprehet kritik: “Kjo luftë nuk ka pasur kurrë një strategji të qartë. Faza e parë dështoi sepse nuk arriti të ndryshojë regjimin. Memorandumi i mirëkuptimit ia la Iranit kontrollin mbi Hormuzin dhe tani Trump po përpiqet ta ndryshojë këtë”.

Nasr paralajmëron se rezultati do të varet nga ajo se cila palë do të ketë më shumë durim për të përballuar kostot e konfliktit. “Nëse SHBA-të përdorin të gjithë fuqinë e tyre në një luftë, mund të fitojnë, por vendimet ushtarake nuk merren në boshllëk. Ato varen nga shoqëria, ekonomia dhe politika”, thotë ai.

Sipas tij, Irani ka treguar një prag më të lartë të tolerimit të presionit. “Iranianët e kishin llogaritur se lufta do të rikthehej. Në fazën e parë ata i befasuan të gjithë duke treguar se dinë të durojnë më shumë se amerikanët. Ndoshta do ta bëjnë sërish”, deklaron ai.

Profesori paralajmëron gjithashtu se rikthimi i luftës mund të ketë pasoja ekonomike për SHBA-të dhe të ndikojë jo vetëm në zgjedhjet afatmesme, por edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Sa i përket mundësisë së një ndryshimi regjimi në Iran, Nasr e përjashton këtë skenar. “Jo. Vdekja e Khameneit ka treguar se shumica e iranianëve tani janë kundër SHBA-ve”, thotë ai.

Sipas tij, një ndërhyrje tokësore e ngjashme me atë në Irak do të ishte e nevojshme për një ndryshim të tillë, por SHBA-të nuk kanë mjaftueshëm trupa për një operacion të tillë.

Në fund, Nasr thekson se konflikti aktual nuk është më i fokusuar te objektet bërthamore, por te ngushtica e Hormuzit. “Trump po përpiqet të kthehet te situata para 27 shkurtit, kur Hormuzi ishte i hapur”, thotë ai.

Sipas tij, përplasja ka forcuar bindjen në Iran se Uashingtoni synon vetëm dobësimin e tij, ndërsa një brez i ri drejtuesish në Teheran është më i gatshëm për përballje sesa paraardhësit e tyre.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume