Derisa Prokuroria, policia dhe institucionet kompetente vazhdojnë hetimet për të përcaktuar se si u kontaminua sistemi i furnizimit me ujë, partitë politike kanë nisur një betejë të hapur akuzash, duke kërkuar përgjegjësi nga kundërshtarët e tyre politikë
Xhenur ISENI
Shkup, 23 korrik – Kriza e ujit në Gostivar, e cila sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore ka lënë mbi 3.000 qytetarë me simptoma të gastroenteritit, po shndërrohet në një nga përplasjet më të ashpra politike të muajve të fundit. Derisa Prokuroria, policia dhe institucionet kompetente vazhdojnë hetimet për të përcaktuar se si u kontaminua sistemi i furnizimit me ujë, partitë politike kanë nisur një betejë të hapur akuzash, duke kërkuar përgjegjësi nga kundërshtarët e tyre politikë.
VLEN reagoi me akuza të drejtpërdrejta ndaj liderit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, duke rikujtuar deklaratat dhe premtimet e tij të viteve të kaluara për zgjidhjen e problemit të ujit në Gostivar. “Arben Taravari po bie ndesh me deklaratat e tij. Derisa dikur dilte para qytetarëve të Gostivarit dhe akuzonte pushtetin e atëhershëm se po i ‘helmonte’ qytetarët me moskujdesin dhe mosveprimin, gjatë mandatit të tij premtoi se do ta zgjidhte problemin e ujit për 100 vitet e ardhshme. Sot, kur përgjegjësia bie mbi administratën që ai ka drejtuar, nuk jep asnjë përgjegjësi politike”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga kjo parti rikujtojnë edhe projektin për ndërtimin e dy rezervuarëve të rinj, të financuar me donacion zviceran. “Dy rezervuarët gjigantë që i premtoi në vitin 2022 nuk u ndërtuan. Ku u avulluan shtatë milionë euro ndihmë nga Zvicra? A po del uji i Gostivarit sikur kanalizimi i Zajazit?”, pyesin nga VLEN. Sipas tyre, qytetarët nuk kanë nevojë për justifikime, por për përgjegjësi institucionale. “Qytetarët kanë nevojë për ujë të sigurt dhe institucione që funksionojnë. VLEN kërkon përgjegjësi të plotë për secilin zyrtar që ka dështuar në mbrojtjen e shëndetit publik. Askush nuk mund të fshihet pas postit, partisë apo heshtjes. Arben Taravari duhet t’u përgjigjet qytetarëve me të njëjtin standard që dikur kërkonte nga të tjerët, sepse përgjegjësia nuk është slogan për opozitë, por detyrim kur je në pushtet”, thonë nga partie shqiptare në pushtet, VLEN.
Edhe VMRO-DPMNE akuzon opozitën dhe partnerët lokalë në Gostivar se po përdorin standarde të dyfishta në trajtimin e rastit. Sipas partisë në pushtet, LSDM-ja, BDI-ja dhe Arben Taravari po heshtin për deklaratën e kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili ka thënë se nuk ndjen përgjegjësi për rastin. “Në vend që të japin përgjigje të qarta dhe të kërkojnë përgjegjësi, LSDM, BDI dhe Arben Taravari heshtin. Ata që çdo ditë flasin për llogaridhënie nuk kërkojnë përgjegjësi kur bëhet fjalë për funksionarët e tyre. Ky është edhe një konfirmim i standardeve të dyfishta”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Partia kërkon që përgjegjësia të mos varet nga përkatësia politike. “Qytetarët e Gostivarit meritojnë që e vërteta të zbardhet plotësisht dhe secili që mban përgjegjësi ta bartë atë, pa marrë parasysh përkatësinë politike. Institucionet dhe funksionarët e zgjedhur duhet të jenë përgjegjës para qytetarëve dhe jo të mbrohen nga interesat partiake”, thonë nga partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE ku njëherit bën thirrje publike LSDM-së, BDI-së dhe Arben Taravarit të deklarohen nëse e mbështesin qëndrimin e Valbon Limanit se askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për rastin e ujit, apo do të kërkojnë llogaridhënie.
Në anën tjetër, LSDM e drejton përgjegjësinë nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, duke akuzuar pushtetin se në vend të përgjigjeve për qytetarët, po sulmon komunitetin mjekësor. “Në vend që të mbajnë përgjegjësi për helmimin e qytetarëve në Gostivar, Qeveria dhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, po sulmojnë mjekët dhe ekspertët shëndetësorë që publikisht treguan për lëshimet institucionale”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Partia kritikon edhe deklaratat e ministrit Klekovski ndaj ekspertëve. “Në vend që të përgjigjet pse institucionet nuk reaguan me kohë dhe pse epidemia u shpall me vonesë, ministri i quajti mjekët dhe profesorët ‘kalorës të epidemisë’ që mbledhin pëlqime në rrjetet sociale. Mjekët dhe ekspertët kanë obligim profesional të paralajmërojnë kur vlerësojnë se institucionet nuk po veprojnë siç duhet dhe kjo nuk duhet të jetë arsye për sulme politike”, thekson LSDM.
Sipas partisë opozitare, problemi nuk janë mjekët, por mënyra se si institucionet kanë menaxhuar krizën. “Problemi i vërtetë është mënyra se si institucionet kanë vepruar në rastin e ujit të ndotur në Gostivar dhe jo reagimet e mjekëve dhe profesorëve. Kërkojmë transparencë të plotë, përgjegjësi për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në fshehjen e informacioneve dhe ndërprerjen e sulmeve ndaj ekspertëve mjekësorë. Mjekët nuk janë problemi, problem është pushteti që në vend t’i mbrojë qytetarët, sulmon ata që tregojnë për lëshimet institucionale”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Ndërkohë, hetimet për rastin vazhdojnë. Prokuroria, Ministria e Punëve të Brendshme, Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe ekspertë të pavarur janë duke punuar për të përcaktuar shkakun e kontaminimit të ujit dhe përgjegjësit eventualë. Deri në publikimin e rezultateve përfundimtare të analizave dhe përfundimin e hetimeve, ndalimi për përdorimin e ujit nga rrjeti i ujësjellësit të Gostivarit mbetet në fuqi. (koha.mk)