Komiteti për Trashëgiminë Botërore i UNESCO-s, në sesionin e 48-të në Busan të Koresë së Jugut, mori vendimin që rajonit të Ohrit t’i japë edhe një shans dhe që ai të mos regjistrohet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Shteti mori një afat shtesë prej pesë vitesh për zbatimin e rekomandimeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

Delegacioni maqedonas në Busan u udhëhoq nga ambasadori i jashtëzakonshëm dhe i fuqiplotë pranë UNESCO-s, prof. dr. Igor Nikolov, i cili në fjalimet e tij riafirmoi përkushtimin e fortë të shtetit për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit në drejtim të mbrojtjes afatgjatë të vlerës universale të Rajonit të Ohrit.

Sipas delegacionit maqedonas, vendimi është shprehje e besimit në aktivitetet e ndërmarra dhe në vendosmërinë e qartë të shtetit, në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, për të vazhduar me zbatimin e rekomandimeve të Komitetit për Trashëgiminë Botërore, Qendrës për Trashëgiminë Botërore dhe organeve këshilluese.

Sipas ambasadorit Nikolov, rajoni i Ohrit është një pasuri e paçmuar natyrore dhe kulturore me vlerë universale të jashtëzakonshme. Ruajtja e tij, theksoi ai, është përgjegjësi kombëtare, por edhe detyrim i përbashkët ndaj trashëgimisë botërore dhe gjeneratave të ardhshme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume