“Sikurse kam thënë edhe më parë, madje hiç më larg se dje, njerëz të ndershëm më shkruajnë vazhdimisht. Më informojnë, më mbështesin dhe mbi të gjitha, më besojnë historitë e tyre.
Sot, pas shkrimit tim për “2.400 punësimet” me të cilat lavdërohet VLEN-i, më shktuajti një zonjë nga Tetova. E zhgënjyer dhe e dëshpëruar, ajo më rrëfeu historinë e saj, duke pretenduar se është mashtruar me premtimin për punësim.
Sipas saj, i ishte premtuar një vend pune në Spitalin e Tetovës. Madje, thotë se kishte shkuar puna deri aty sa i kishin treguar edhe listën ku figuronte emri i saj. Por, në fund, gjithçka mbeti vetëm premtim.
Ajo pretendon se ka qenë aktiviste e VLEN-it dhe e angazhuar në shumë aktivitete në terren, ka shpenzuar kohën dhe kontributin e saj, por kur duhej që premtimi të realizohej, ajo u la në harresë.
Me hallet dhe vështirësitë e saj, si çdo qytetare që kërkon vetëm një mundësi për të punuar me dinjitet, ajo m’u drejtua me lutjen që historia e saj të bëhet publike.
Emrin dhe mbiemrin e saj i kam të njohur, por me kërkesën e saj do ta ruaj identitetin.
Tani po e pyes VLEN-in: Sa histori të tilla ekzistojnë? Sa qytetarë janë mbajtur me premtime për vende pune, janë përdorur për fushata e aktivitete partiake, e më pas i keni harruar?
Kur VLEN-i krekoset me “2.400 punësime”, me gjasë e kanë mendjen te punësimet e nipërve, familjarëve dhe jaraneshave të tyre, sesa për shqiptarë as nuk u bëhet vonë” ka shkruar Nafie Selmani