Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art shpreh indinjatën dhe reagimin e saj të ashpër ndaj përmbajtjeve të fundit të publikuara nga grupi humoristik K-15, të cilat, sipas vlerësimit tonë, përmbajnë stereotipe fyese dhe nxisin paragjykime ndaj shqiptarëve.
Jemi dëshmitarë se në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook Reels, më 4 gusht, ditën kur në Maqedoninë e Veriut shënohet Ilindeni dhe Manifesti i Krushevës, po qarkullon një video ku aktori Ognjanovski i paraqitur kësulë të bardhë, portretizohet në një skenar ku në bagazhin e automobilit mban dy policë të lidhur dhe i propozon personazhit tjetër , Vaskos, shitjen e organeve të tyre. Një përmbajtje e tillë nuk mund të konsiderohet humor. Ajo është një aludim i rëndë, i papranueshëm dhe moralisht fyes.
Ky lloj “humori” bëhet edhe më i papranueshëm në kohën kur ende vazhdon dhimbja e mijëra familjeve shqiptare në Kosovë е vende të tjera, që kërkojnë eshtrat e të afërmve të zhdukur gjatë luftës. Në një kontekst të tillë historik dhe njerëzor, trajtimi i temës së trafikimit të organeve përmes shpifjeve serbe për Shtëpinë e verdhë që nuk e deshmoi as Komisioni i formuar nga Kombet e bashkuara ( UN), është thellësisht i papërgjegjshëm dhe kontribuon në riprodhimin e narrativave propagandistike serbe që në të kaluarën janë përdorur për të relativizuar ose mjegulluar krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Po ashtu, vetëm pak ditë më parë, i njëjti grup publikoi një skeç ku vihej në lojë Universiteti i Tetovës, duke aluduar se një shqiptar kërkonte në treg të blinte një diplomë masteri. Një paraqitje e tillë injoron historinë e dhimbshme të themelimit të Universitetit të Tetovës, gjakun e derdhur, përndjekjet, burgosjet dhe represionin shumëvjeçar ndaj profesorëve, studentëve dhe veprimtarëve që kontribuan në krijimin e këtij institucioni.
Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art u bën thirrje institucioneve shtetërore, deputetëve, ministrave, universiteteve, intelektualëve dhe organizatave të shoqërisë civile të reagojnë ndaj çdo forme të gjuhës së urrejtjees dhe përçarjes nëdretnike. Liria e shprehjes dhe humori janë vlera demokratike, por ato nuk duhet të shndërrohen në instrumente të politkës serbo-ruse për denigrimin e e Shqiptarëve .
Shprehim keqardhjen që K-15 ka zgjedhur të ndërtojë humor mbi paragjykime etnike dhe ngjarje të dhimbshme historike. Një qasje e tillë nuk i shërben bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, por krijon hendek mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të çmuar në zhvillimin demokratik, arsimor, kulturor, ekonomik dhe shkencor të shtetit. Ky kontribut meriton respekt dhe jo stereotipe fyese.
Tetovë, 4 gusht 2026,
Këshilli për informim