Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale e ndjek në mënyrë të
vazhdueshme gjendjen në rajon dhe në Evropë, si dhe treguesit hidrologjikë në vend.
Sipas të dhënave të disponueshme, gjendja në Maqedoni është stabile dhe aktualisht
nuk ka indikacione se nivelet e ulëta të ujërave në Evropë paraqesin rrezik për sigurinë
e prodhimit vendor të energjisë elektrike.
Ministria, së bashku me SHA EMV, SHA MEPSO dhe institucionet e tjera kompetente, i
monitoron rregullisht parametrat hidrologjikë, rezervat në dispozicion dhe parashikimet,
me qëllim që të ndërmerren me kohë të gjitha masat e nevojshme në rast se kushtet
ndryshojnë.
Gjendja e akumulacioneve aktualisht është stabile dhe mundëson menaxhim të sigurt të
potencialit hidrik vendas. Potenciali hidrik shënon një nivel të përgjithshëm të mbushjes
së akumulacioneve prej rreth 70 për qind. Kjo mundëson përmbushjen e nevojave
aktuale në kuadër të prodhimit të planifikuar
Akumulacionet vendase menaxhohen me kujdes dhe në përputhje me planet operative,
gjë që mundëson prodhim të sigurt të energjisë elektrike dhe funksionim të
qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik. Njëkohësisht, hidrocentralet vazhdojnë të
ofrojnë edhe shërbime sistemike të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të rrjetit
elektroenergjetik.
Treguesit për prodhimin vendas janë inkurajues. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të
Statistikave, në muajin maj të këtij viti në Maqedoni janë prodhuar 462.653 MWh energji
elektrike, duke mbuluar 96,5 për qind të konsumit të brendshëm, që paraqet një
pjesëmarrje dukshëm më të lartë të prodhimit vendas në përmbushjen e nevojave të
shtetit. Në të njëjtën kohë, të dhënat nga SHA EMV tregojnë një rritje të
konsiderueshme të prodhimit nga hidrocentralet – prej 76 për qind krahasuar me të
njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe një rritje prej rreth 10 për qind te centralet e
erës.
Këto rezultate janë konfirmim se diversifikimi gradual i kapaciteteve prodhuese,
menaxhimi i kujdesshëm i akumulacioneve dhe planifikimi i përmirësuar kontribuojnë në
një qëndrueshmëri më të madhe të sistemit energjetik të Maqedonisë në kushtet e
ndryshimeve gjithnjë e më të shpeshta klimatike.
Paralelisht, investohet në kapacitete të reja për prodhimin e energjisë nga burimet e
rinovueshme, në modernizimin e infrastrukturës elektroenergjetike, në zhvillimin e
sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, si dhe në projekte që do të
mundësojnë
fleksibilitet më të madh dhe përshtatje më të shpejtë të sistemit ndaj ndryshimeve
klimatike dhe të tregu.
Aktualisht është duke u ndërtuar faza e dytë e parkut të erës „Bogdanci“, me ç’rast
kapaciteti i tij i instaluar do të arrijë në 50 MW, ndërsa kanë filluar edhe aktivitetet për
realizimin e centraleve fotovoltaike „Bitola 1“ dhe „Osllomej 2“, ndërkohë që përgatitjet
për „Bitola 2“ dhe „Bitola 3“ janë në fazë të avancuar. Njëkohësisht, po krijohen kushtet
për zbatimin më të gjerë të sistemeve për ruajtjen e energjisë elektrike, të cilat do të
mundësojnë shfrytëzim më efikas të burimeve të rinovueshme dhe stabilitet më të madh
të sistemi.
Përveç prodhimit vendas, rol të rëndësishëm ka edhe ndërlidhja energjetike rajonale. Në
mënyrë intensive po realizohet projekti për interkonektorin e gazit me Greqinë, i cili do të
mundësojë qasje në burime të reja të gazit natyror, ndërsa paralelisht po përgatitet edhe
realizimi i interkonektorit me Serbinë. Njëkohësisht, Maqedonia ka siguruar ftesë për t’iu
bashkuar Korridorit Vertikal të Gazit – një nga iniciativat më të rëndësishme evropiane
për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe forcimin e stabilitetit energjetik në
Evropën Juglindore, Qendrore dhe Lindore. Me anëtarësimin në një rrjet të koordinuar
evropian të gazsjellësve kombëtarë, interkonektorëve dhe terminaleve, përmes të cilëve
gazi natyror do të mund të transportohet nëpër disa drejtime, nga jugu drejt veriut të
Evropës, rritet ndjeshëm edhe vlera strategjike e interkonektorëve me Greqinë dhe
Serbinë. Në vend që të jenë vetëm projekte kombëtare, ato bëhen pjesë e një rrjeti më
të gjerë evropian të transportit, gjë që do të mundësojë shfrytëzim më të mirë të
kapaciteteve, fleksibilitet më të madh dhe nivel më të lartë të sigurisë së furnizimit. Në
këtë mënyrë, vendi bëhet gjithashtu një pikë e rëndësishme tranziti për furnizimin me
gaz të rajonit dhe Evropës
Krizat e fundit globale energjetike kanë konfirmuar edhe një herë se pavarësia
energjetike sot përbën një nga treguesit më të rëndësishëm të qëndrueshmërisë së çdo
shteti modern. Shtetet që investojnë në prodhimin e tyre dhe në lidhje energjetike të
diversifikuara janë më rezistente ndaj goditjeve të jashtme, më konkurruese dhe më të
suksesshme në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe ekonomisë së tyre. Ndryshimet
klimatike përbëjnë një faktor serioz që duhet të merret parasysh gjatë planifikimit të
politikave kombëtare energjetike.
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale vazhdon me politika afatgjata të
orientuara drejt rritjes së prodhimit vendas, forcimit të qëndrueshmërisë energjetike
përmes diversifikimit të burimeve të prodhimit, investimeve në burimet e rinovueshme të
energjisë, modernizimit të infrastrukturës elektroenergjetike, zhvillimit të sistemeve për
ruajtjen e energjisë dhe avancimit të ndërlidhjes energjetike rajonale. Njëkohësisht,
vazhdon edhe procesi i përmirësimit të sistemeve për planifikim, monitorim dhe
menaxhim të rreziqeve, me qëllim që sektori energjetik të jetë i përgatitur për sfidat
gjithnjë e më të theksuara klimatike.
Ministria do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes gjendjen në vend dhe në rajon dhe do ta
informojë me kohë opinionin publik për të gjitha informacionet relevante, me një qëllim të vetëm – sigurimin e furnizimit stabil, të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike
për qytetarët dhe ekonominë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume