Koalicioni VLEN u ka bërë thirrje aktivistëve dhe mbështetësve të tij që të mos marrin pjesë në marshin protestues “Jo në emrin tim”, i paralajmëruar për nesër, më 27 shtator, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

Marshi organizohet në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas një mesazhi të shpërndarë në një grup të aktivistëve të VLEN-it në WhatsApp, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, u ka kërkuar anëtarëve dhe mbështetësve të koalicionit që të mos marrin pjesë në protestë, duke kërkuar që njoftimi t’u përcillet edhe aktivistëve të tjerë.

“Anulohet pjesëmarrja në protestën e nesërme 27.09. Ju lutem njoftoni edhe të tjerët”, thuhet në mesazhin e publikuar në grup.

Thirrja për bojkot vjen në një kohë kur në diasporë dhe në qytete të ndryshme janë zhvilluar protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pas vendimit të Hagës.

Ndërkohë, Osmani në vitin 2001 ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), ndërsa sot, sipas mesazhit të publikuar, u ka bërë thirrje aktivistëve të VLEN-it të mos marrin pjesë në marshin e nesërm në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Marshi “Jo në emrin tim” pritet të mbahet nesër në orën 14:00 në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup./TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume