Përfaqësuesi i koalicionit VLEN,Besar Durmishi, përmes një deklarate për mediat ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e akuzuar atë për fshehje të të vërtetës lidhur me prapaskenat e Marrëveshjes së Ohrit dhe statusin e gjuhës shqipe në Kushtetutë.

Durmishi u thirr në deklaratat e fundit të një prej figurave kyçe të vitit 2001, Gëzim Ostrenit, sipas të cilit gjuha shqipe mbeti e fshehur pas formulimit të “20 përqindëshit” në vend se të emërohej qartë. Ai ngriti pyetjen se çfarë e shtyu Ahmetin që nga kërkesa fillestare për një shtet dygjuhësor shqiptaro-maqedonas të përfundonte duke pranuar kompromise që dëmtuan emrin e gjuhës shqipe në aktin më të lartë juridik.

Sipas përfaqësuesit të VLEN-it, BDI-ja e ka përdorur Marrëveshjen e Ohrit si një mburojë politike për të mbuluar dështimet, korrupsionin dhe pazaret në kurriz të shqiptarëve gjatë dy dekadave të kaluara. Ai shtoi se kjo marrëveshje është rezultat i sakrificës së popullit dhe jo pronë private e askujt.

Në përmbyllje, Durmishi theksoi se brezi i ri politik nuk ka detyrim të ruajë mitet e vjetra, por t’u thotë shqiptarëve të vërtetën. Ai u shpreh se VLEN po i jep zgjidhje konkrete këtyre çështjeve duke e shndërruar përfaqësimin e drejtë nga një parim në ligj dhe duke kthyer decentralizimin në krye të prioriteteve shtetërore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume