Trajneri i ri i Italisë, Roberto Mancini, është përfshirë në skandalin e Manchester Cityt, pasi pagesat e pretenduara jashtë librave të kontabilitetit ndaj tij janë ndër 115 shkeljet e mundshme të rregullave financiare të Premierligës.
Sipas disa burimeve, përfshirë “The Athletic” dhe “BBC Sport”, hetimi katërvjeçar ka përfunduar me Manchester Cityn të shpallur fajtor për pothuajse të gjitha 115 akuzat.
Mes tyre ishte pretendimi se gjatë periudhës së tij në klub nga viti 2009 deri në 2013, Mancini kishte dy kontrata të ndryshme që i mundësonin klubit t’i anashkalonte parametrat e Fair Play Financiar.
Në thelb, pretendohet se ai merrte një pagë përmes kontratës së rregullt në vlerë prej 1.69 milionë euro neto, por edhe një pagesë shtesë të maskuar si “tarifë konsulence” për Al Jaziran, klub në Abu Dhabi që gjithashtu është në pronësi të Sheikh Mansourit.
Konsulenca kishte vlerën prej 2.03 milionë eurosh neto, për atë që dukej se ishin vetëm katër ditë punë në vit.
City akuzohet se i kanalizonte paratë te kompania e Mancinit, “Italy International Services”, përmes Al Jaziras, e cila nga ana tjetër paguhej nga “Abu Dhabi United Group”.
Mancini e fitoi titullin e Premierligës me ta në vitin 2012, pas triumfit në FA Cup në vitin 2011.
Përmasat e mëdha të shkeljeve financiare, nëse vërtet shpallet fajtor për pothuajse të gjitha 115 akuzat, mund të kërkojnë shumë më tepër sesa një gjobë të thjeshtë për Manchester Cityn.
Gjiganti i Premierligës, me reprezentuesin italian Gianluigi Donnarumma në skuadër dhe Enzo Marescan si trajnerin aktual, po përballet me mundësinë e zbritjes së pikëve apo edhe të rënies nga liga.
Gjithashtu, mbetet për t’u parë nëse klubit do t’i hiqet ndonjë prej titujve që ka fituar gjatë periudhës kur pretendohet se kanë ndodhur shkeljet.
Manchester City përballet me 54 akuza për dështim në ofrimin e informacioneve të sakta financiare nga viti 2009 deri në 2018, 14 akuza për dështim në ofrimin e detajeve të sakta për pagesat ndaj lojtarëve dhe stafit drejtues, pesë akuza për mosrespektim të rregullave të Fair Play Financiar të UEFA-s nga viti 2013 deri në 2018, shtatë akuza për shkelje të rregullave të Premierligës për fitimin dhe qëndrueshmërinë nga viti 2015 deri në 2018, si dhe 35 akuza për dështim në bashkëpunimin me hetimet e Premierligës nga dhjetori i vitit 2018 deri në shkurt të vitit 2023.
Manchester City gjithmonë i ka mohuar akuzat për shkelje dhe pritet të apelojë nëse vendimet për fajësi konfirmohen.