Fexhri Asipi, zëdhënës i Këshillit Organizativ të Marshit Protestues në mbështetje të krerëve të UÇK-së, ka reaguar pas pretendimeve se Granit Osmani, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ka bërë thirrje për bojkotimin e marshit të paralajmëruar për nesër në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

Asipi, në reagimin e tij, ka ngritur pyetje lidhur me arsyet e pretenduara të një thirrjeje të tillë, duke hedhur akuza politike ndaj Osmanit dhe duke e lidhur këtë qëndrim me VLEN-in dhe VMRO-DPMNE-në. Këto janë pretendime të Asipit dhe nuk janë të verifikuara në mënyrë të pavarur, njofton TS.

“Megjithatë, besoj se mirë e ka Graniti! Mirë sepse UÇK-ja ndjehet, nuk shitet! UÇK-ja jetohet përgjithmonë, jo me sezone!”, ka shkruar Asipi.

Në fund të reagimit, Asipi ka përdorur edhe gjuhë të ashpër ndaj Osmanit, duke e mbyllur me deklaratën: “O je me UÇK, o me Serbi!”

Marshi protestues është paralajmëruar të mbahet nesër në Shkup, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë./TS