Haziri rrëfen takimin e fundit me babanë e tij: Isha 6 vjeç, ende shpresoj që diku mundet me qenë
Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri, ka rrëfyer në emisionin “Ora Shtatë” për kujtimet e tij nga babai dhe herën e fundit kur e kishte parë atë.

Haziri ka treguar se ishte vetëm gjashtë vjeç kur e takoi për herë të fundit babanë e tij në shtëpinë e tyre në Kodrën e Trimave, transmeton Klankosova.tv.

“Unë i kam pasë 6 vjet, për herë të fundit kur e kam taku ka qenë në shtëpi. Ne kemi jetuar në Kodrën e Trimave, edhe babi zakonisht ka ardhë natën dhe ka dalë në mëngjes herët”, ka rrëfyer ai.

Ai tha se, për shkak të moshës së vogël, kujtimet për të atin i ka të pakta.

“Ka qenë në jetën time një njeri që e kam takuar rrallë. Nuk e mbaj mend shumë, e mbaj mend pak. Ka momente shumë pak që i kujtoj”, u shpreh Haziri.

Duke folur për fatin e babait të tij, ai tha se që nga 17 shtatori i vitit 1998 familja nuk ka pasur më informacione të sigurta për të, pavarësisht dëshmive të njerëzve që kanë qenë në dijeni të rastit.

“Prej 17 shtatorit 1998 ka pasur dëshmitarë se si ka ndodhur rasti, mirëpo nuk dimë kurrgjë më për të. Normal që menjëherë pas luftës njerëzit kanë pasur tregime, kanë thënë që mundet me qenë diku, por me kalimin e kohës qito më nuk ekzistojnë”, deklaroi ai.

Haziri theksoi se familja vazhdon të jetë në pritje dhe se ende shpreson për të mësuar fatin e babait të tij.

“Ne jemi në pritje. Unë i kam 35 vjet dhe mendoj e shpresoj që diku mundet me qenë”, tha ai.

Haziri foli edhe për mënyrën se si e ka përjetuar gjatë gjithë jetës mungesën e babait dhe padrejtësinë, duke thënë se kjo përvojë e ka bërë të përballet ndryshe me sfidat e jetës.

“Ndoshta kur jeta të trajton më ndryshe, edhe rritesh pak më ndryshe. Rritesh me një mungesë, edhe e kalon shumicën e jetës në pritje të drejtësisë. Krijon imunitet ndaj padrejtësisë, dhe kjo pak na dallon”, u shpreh ai.

Ai shtoi se mbështetjen dhe forcën e ka gjetur te Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Forcën në çdo situatë e gjej te Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kështu edhe në jetën time, edhe gjatë aktiviteteve të ndryshme në jetë, edhe gjatë sfidave në jetë që i kam kaluar, prehjen e kam gjet te një organizim, te një triumf i UÇK-së”, tha Haziri.

Ai vlerësoi gjithashtu respektin që shqiptarët vazhdojnë t’ua kushtojnë sakrificës së dëshmorëve, sidomos me protestat kundër vendimit dënues ndaj çlirimtarëve.

“Ky është një lehtësim kur shqiptarët e respektojnë këtë pjesë të sakrificës, e respektojnë gjakun e dëshmorëve dhe reagojnë për mbrojtjen e tij. Kështu që, është ndoshta një goditje, por prapëseprapë e gjen një forcë”, tha ai në Klan Kosova.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume