Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani i ka propozuar Shteteve të Bashkuara një marrëveshje që do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda shtatë ditësh, nëse plotësohen kushtet e kërkuara nga pala iraniane.

Duke folur për gazetarët në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Araghchi tha se kalimi normal detar përmes ngushticës mund të rikthehet brenda një jave.

Sipas tij, kushtet janë të përfshira në një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar në qershor.

“Zgjedhja tani është në duart e Shteteve të Bashkuara”, tha Araghchi, duke shtuar se propozimi i Iranit i është përcjellë Uashingtonit përmes Katarit.

Një zyrtar amerikan i tha BBC-së se përmes ndërmjetësuesve po zhvillohen diskutime pozitive, përfshirë edhe çështjet që lidhen me programin bërthamor të Iranit. Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë dhënë përgjigje zyrtare propozimit.

Megjithatë, sipas Wall Street Journal, presidenti amerikan Donald Trump e ka refuzuar marrëveshjen.

Gazeta raportoi se Trump ishte skeptik nëse Irani do t’i përmbushte kërkesat amerikane dhe u kishte thënë bashkëpunëtorëve të tij se një fushatë e re bombardimesh ishte e mundshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt, transmeton Klankosova.tv.

Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit, bazave amerikane në Gjirin Persik dhe vendeve arabe aleate të ShBA-së, ndërsa më pas bllokoi Ngushticën e Hormuzit.

Para luftës, rreth 20 për qind e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që tregtohet në botë kalonte përmes kësaj ngushtice. Mbyllja e saj ka shkaktuar luhatje të mëdha të çmimeve të energjisë dhe ka rritur presionin ndaj administratës Trump për t’i dhënë fund konfliktit.

“Që nga momenti kur të plotësohen kushtet e nevojshme, ngushtica mund të rihapet dhe qarkullimi normal detar mund të rikthehet brenda shtatë ditësh”, tha Araghchi.

Ai nuk specifikoi se cilat hapa konkrete duhet të ndërmarrë ShBA-ja, por tha se ato janë të përcaktuara në memorandumin e mirëkuptimit.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha ndërkohë se procesi i armëpushimit mund të nisë menjëherë sapo Shtetet e Bashkuara ta pranojnë propozimin.

Pezeshkian deklaroi gjithashtu se Irani është i gatshëm të lejojë inspektorët bërthamorë të Kombeve të Bashkuara të rikthehen në vend.

Duke mohuar akuzat se Irani po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, Pezeshkian tha se Teherani është i gatshëm të negociojë për inspektimet dhe të arrijë marrëveshje për këtë çështje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume