Presidentja e shtetit prof. dr. Gordana Siljanovska Davkova, dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, sot zhvilluan takim me rreth 100 nxënës të talentuar, të cilët përmes shoqatave të mësimdhënësve ose individualisht, këtë vit morën pjesë në olimpiada shkencore ndërkombëtare dhe gara prestigjioze për nxënës. Në takim, ato u thanë se janë krenaria e shtetit dhe se kujdesi institucional ndaj nxënësve të talentuar, si dhe ndaj të gjithë nxënësve dhe të rinjve, do të vazhdojë të rritet.
„Gëzohem që nga viti në vit evidentojmë gjithnjë e më shumë të rinj të talentuar me dëshirë për të garuar, të cilët duan ta përfaqësojnë shtetin jashtë vendit dhe e bëjnë këtë me krenari. Për mua, kjo është patriotizëm i vërtetë dhe prandaj vazhdoni të jeni përfaqësues të atdheut. Ju përgëzoj të gjithëve që këtë vit morët pjesë në gara të nivelit të lartë, ndërsa disa prej jush fituan edhe çmime dhe mirënjohje të larta“, tha Janevska para nxënësve.
Gjatë tre viteve të fundit, shteti ka rritur mbështetjen për nxënësit e talentuar. Familjet e tyre nuk kanë më shqetësime se si t’i sigurojnë mjetet financiare për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, sepse Ministria e Arsimit dhe Shkencës i mbulon në tërësi shpenzimet e udhëtimit dhe tarifës së pjesëmarrjes. Vitin e kaluar u paguan 5 milionë denarë, ndërsa këtë vit deri më tani 3 milionë denarë për këtë qëllim.
Ministrja tha se të gjithë fëmijët janë të rëndësishëm dhe se detyrë e institucioneve është t’u përkushtohen në mënyrë të barabartë, t’u mundësojnë arsim më cilësor dhe qasje të barabartë në mundësitë arsimore. Por, nxënësit e talentuar kërkojnë vëmendje të veçantë, në mënyrë që të mund t’i realizojnë plotësisht aspiratat dhe potencialet e tyre personale, prandaj është bërë edhe ndryshimi i konsiderueshëm i politikave për mbështetjen e tyre.
Ajo rikujtoi se ministria rregullisht publikon thirrje për ndarjen e mjeteve financiare për vendet e larta dhe medaljet e fituara në garat ndërkombëtare, mjete financiare për vendet e para të fituara në garat shtetërore, konkurse për ndarjen e bursave për nxënës të talentuar të shkollave të mesme, si dhe se është duke u përgatitur Koncepti për identifikimin dhe punën me fëmijët e talentuar.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume