Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, u është drejtuar përfaqësuesve evropianë, përfshirë komisioneren për Zgjerim Marta Kos, si dhe partive në Parlamentin Evropian, lidhur me një video parazgjedhore të publikuar nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike (FDU) në Beograd.

Sipas interpretimit të Bërnabiqit, videoja përmban kërcënim për përdhunimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ajo u bëri thirrje përfaqësuesve evropianë ta shohin videon dhe të vlerësojnë nëse përmbajtja e saj promovon vlerat demokratike dhe kulturën politike.

Videoja me titull “Serbia nuk e donte”, e publikuar më 19 shtator, paraqet Vuçiqin në fokus, ndërsa më pas shfaqen mesazhe të qytetarëve që thonë se nuk e duan atë për president dhe se nuk është i mirëpritur.

Bërnabiq reagoi veçanërisht ndaj pjesës ku përmendet burgu dhe pamjes së fundit, ku shfaqet një sapun nën dushin e burgut, të cilën ajo e interpretoi si aludim për dhunë seksuale.

“Pamja e fundit me sapunin në qeli është kërcënim i drejtpërdrejtë se Aleksandar Vuçiq do të përdhunohet për shkak të qëndrimeve të ndryshme politike”, shkroi Bërnabiq në rrjetin social X.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume