“Evropa duhet t’i respektojë rregullat. Maqedonia disa herë ka hequr dorë nga diçka që natyrshëm i takon si e drejtë themelore. Historia tregon se kemi bërë kompromise dhe lëshime, shpesh me çmimin e ndjenjës më themelore për dinjitet dhe drejtësi”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Nga foltorja në Nju Jork, ai kërkoi respektimin e rregullave që do të vlejnë njësoj për të gjithë. Nëse nga kandidatët për anëtarësim në një organizatë kërkohet të përmbushin kritere të caktuara, atëherë përmbushja e këtyre kritereve duhet të çojë drejt përparimit, tha Mickoski.
“Presim që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në merita dhe kritere të matshme, e jo një proces në të cilin çështjet dypalëshe vazhdimisht mund ta zhvendosin cakun. Nuk kërkojmë rrugë më të lehtë. Kërkojmë një rrugë të rregulluar me rregulla. Nuk kërkojmë standarde më të ulëta. Kërkojmë që standardet të mbeten standarde. Kjo është po aq e rëndësishme edhe për kredibilitetin e Evropës”, tha Mickoski.
Kryeministri maqedonas tha se botës nuk i duhen ndarje të reja në kampe të përhershme, por konkurrencë me kufij dhe rregulla që duhet të respektohen. Në kohë pasigurie, sipas tij, përgjigjja nuk është paqartësia strategjike, por qartësia.
Sipas Mickoskit, kjo nuk do të thotë kthim i shpinës ndaj botës, por se me më shumë besim mund të bashkëpunohet me vende me histori, interesa dhe perspektiva të ndryshme politike
“Qytetarët e Maqedonisë e dinë se ku përkasin. Ne jemi aleat në NATO. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë strategjik. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është përcaktimi ynë strategjik. Këto nuk janë tri politika të ndara. Kjo është një orientim gjeopolitik, i bazuar në demokraci, sigurinë kolektive, sundimin e ligjit dhe ekonominë e hapur”, tha kryeministri Mickoski.
Sipas Kryeministrit Mickoski, zhvillimi intensiv i Korridoreve 8 dhe 10 është pjesë e një vizioni më të gjerë evropian, të lidhen më mirë Deti Adriatik, Deti i Zi dhe Deti Egje me Evropën Qendrore, t’u sigurohen mallrave, energjisë dhe njerëzve më shumë rrugë dhe lidhshmëri më e mirë dhe rajoni të bëhet i ndërlidhur në aspektin infrastrukturor, në vend që të mbetet në periferi të gjeopolitikës.
Gjeografia jonë nuk duhet të jetë fati ynë, tha Mickoski duke potencuar se këto Korridore mund të bëhen avantazh nëse ndërtojmë institucionet dhe infrastrukturën që do ta shndërrojnë pozitën tonë gjeografike në lidhshmëri.