Ministrja Janevska dhe kryetari i komunës Miteski i'u ndanë pajisje tabletë nxënësve të klasës së katërt në Aerodrom
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe kryetari i Komunës së
Aerodromit, Dejan Miteski, sot në shkollën fillore “Luben Lape” u ndanë pajisje tabletë
nxënësve të klasës së katërt. Ky është viti i pestë radhazi që vetëqeverisja lokale e realizon
këtë projekt me mjete nga buxheti komunal, ndërsa janë përfshirë nxënësit e klasës së katërt
nga të gjitha shkollat fillore në territorin e komunës.
Në ceremoninë e ndarjes së pajisjeve tabletë, ministrja Janevska shprehu kënaqësinë që
iniciativa po vazhdon dhe, sipas saj, masa të tilla duhet të zbatohen edhe në komuna të tjera,
sepse kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e mundësive të barabarta për çdo fëmijë.
“Sot teknologjia është pjesë përbërëse e arsimit dhe u mundëson nxënësve të mësojnë më
lehtë, të hulumtojnë dhe të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre. Prandaj është e
rëndësishme që çdo fëmijë të ketë qasje të barabartë në këto mundësi. Është e rëndësishme që
fëmijët të jenë të lidhur me botën e internetit dhe bazat e të dhënave, të mund të përdorin
tekste shkollore dhe përmbajtje digjitale, me çka do ta pasurojnë dijen e tyre, dhe të kalojnë
më pak kohë duke luajtur video-lojëra”, tha Janevska, duke theksuar se iniciativa është
veçanërisht e rëndësishme si mbështetje për familjet me të ardhura më të ulëta.
Ajo theksoi se edhe Qeveria gjatë dy viteve të fundit ka investuar në avancimin e shoqërisë
digjitale, veçanërisht në digjitalizimin e arsimit, duke siguruar pajisje kompjuterike, tabela të
reja interaktive dhe infrastrukturë rrjeti për internet pa tel të sigurt në mbi 160 shkolla. Në
funksion është vënë edhe ditari i ri elektronik, ndërsa janë digjitalizuar të gjitha procedurat
për realizimin e të drejtave arsimore.
“Është shumë më e lehtë dhe më e thjeshtë kur pushteti qendror dhe komunat punojnë në të
njëjtin drejtim, në drejtim të digjitalizimit të arsimit, prandaj partneritete të tilla duhet të
vazhdojnë. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë i thjeshtë: çdo fëmijë, pavarësisht mundësive
familjare dhe vendbanimit, të ketë qasje në arsim bashkëkohor, cilësor dhe digjital. Kështu
krijojmë kushte më të mira për nxënësit sot dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë
shoqërinë nesër”, theksoi Janevska.
Në Komunën e Aerodromit këtë vit do të shpërndahen 850 pajisje tablet, me vlerë prej 5,3
milionë denarësh.



