Rreth një në tetë raste të kancerit në mbarë botën mund të lidhet me infeksione, shumë prej të cilave mund të parandalohen përmes vaksinimit dhe masave të tjera mbrojtëse, ka zbuluar një studim i ri.

Studiuesit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin konstatuan se, nga 19.2 milionë raste të reja të kancerit të regjistruara në vitin 2024, rreth 2.3 milionë ishin të lidhura me infeksione.

Pjesa dërrmuese e këtyre rasteve lidhej me vetëm pesë lloje infeksionesh.

Në mesin e tyre janë Helicobacter pylori (H. pylori), një bakter i zakonshëm që infekton stomakun dhe mund të përhapet përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar, virusi papilloma njerëzor (HPV), hepatiti B dhe C, si dhe virusi Epstein-Barr (EBV), i njohur ndër të tjera për shkaktimin e mononukleozës infektive.

Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme përballen me barrën më të madhe, duke përbërë rreth 77 për qind të të gjitha rasteve të kancerit të lidhura me infeksionet.

Azia Lindore regjistroi numrin më të madh, me rreth 990 mijë raste, që përbëjnë afro 42 për qind të totalit global. Shkaktarët kryesorë në këtë rajon ishin H. pylori dhe hepatiti B.

Në studimin e publikuar në revistën shkencore The Lancet Oncology, autorët theksuan rëndësinë e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve për uljen e numrit të rasteve të kancerit.

Sipas tyre, krahas zhvillimit të vaksinave të reja, ekzistojnë tashmë një sërë masash parandaluese që janë dëshmuar efektive dhe me kosto të përballueshme.

Megjithatë, ato shpesh nuk përdoren sa duhet për shkak të pengesave sociale, financiare dhe politike, veçanërisht në vendet ku nevoja është më e madhe.

Masat përfshijnë rritjen e vaksinimit kundër HPV-së, përdorimin e sigurt të gjilpërave, qasjen më të mirë në prezervativë dhe në medikamentet për parandalimin e HIV-it, si dhe zbulimin dhe trajtimin e hershëm të ndryshimeve që mund të çojnë në kancer të qafës së mitrës ose të anusit.

Në Evropën Perëndimore, HPV ishte i lidhur me rreth 24 mijë raste të kancerit gjatë vitit 2024, duke qenë shkaktari kryesor infektiv i kancerit në këtë rajon.

HPV është një virus shumë i zakonshëm që prek lëkurën dhe qelizat që veshin pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë gojën, fytin dhe organet gjenitale.

Ai përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë lëkurë me lëkurë, zakonisht gjatë aktivitetit seksual. Për shumicën e njerëzve infeksioni nuk shkakton probleme serioze.

Megjithatë, ekzistojnë rreth 14 lloje të HPV-së me rrezik të lartë, të cilat mund të rrisin mundësinë e zhvillimit të kancerit. Me kalimin e kohës, këto viruse mund të shkaktojnë ndryshime në ADN-në e qelizave dhe të çojnë në shumim të pakontrolluar të tyre.

Pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës lidhen me HPV-në. Virusi lidhet gjithashtu me disa lloje të kancerit të fytit, gojës, anusit, penisit, vulvës dhe vaginës.

Për këtë arsye, vaksinimi kundër HPV-së dhe kontrollet e rregullta të qafës së mitrës janë në qendër të strategjisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës.

Studimi zbuloi gjithashtu se H. pylori ishte infeksioni që lidhej me numrin më të madh të rasteve të kancerit në botë gjatë vitit 2024, me rreth 760 mijë raste.

Shumica ishin raste të kancerit të stomakut, ndërsa disa vende evropiane tashmë kanë nisur programe për testimin e popullsisë për këtë bakter.

Studime të tjera kanë sugjeruar gjithashtu se H. pylori mund të lidhet edhe me një pjesë të rasteve të kancerit kolorektal. Sipas një hulumtimi të fundit, personat e ekspozuar ndaj këtij bakteri mund të kenë rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë dhe rektumit krahasuar me ata që nuk janë ekspozuar.

Megjithatë, zhvillimi i një vaksine kundër H. pylori ka qenë i ngadalshëm, pavarësisht se ekspertët besojnë se një vaksinë e tillë mund të ndihmojë ndjeshëm në uljen e rasteve të kancerit të stomakut.

Ndërkohë, virusi Epstein-Barr, me të cilin infektohet një pjesë shumë e madhe e popullsisë gjatë jetës, renditet tashmë si shkaktari i katërt më i madh infektiv i kancerit në botë, përpara hepatitit C.

Studiuesit theksojnë, megjithatë, se vetëm infeksioni zakonisht nuk mjafton për të shkaktuar kancer. Faktorë të tjerë, përfshirë gjenetikën, gjendjen e përgjithshme shëndetësore dhe mënyrën e ushqyerjes, ndikojnë gjithashtu në rrezik.

Aktualisht janë duke u zhvilluar disa prova klinike për vaksina kundër virusit Epstein-Barr.

Hepatiti B dhe C së bashku përbënin rreth një të tretën e të gjitha rasteve të kancerit të lidhura me infeksionet, shumica prej tyre kancer të mëlçisë.

Sipas studiuesve, shumë prej këtyre rasteve mund të parandalohen, pasi tashmë ekzistojnë metoda efektive trajtimi dhe kontrolli.

Hepatiti B mund të kontrollohet me medikamente antivirale dhe parandalohet edhe përmes vaksinimit, ndërsa hepatiti C mund të shërohet në shumicën e pacientëve me trajtimet moderne.

Për hepatitin C aktualisht nuk ekziston një vaksinë e miratuar. Virusi përhapet kryesisht përmes kontaktit me gjak të infektuar, prandaj parandalimi mbështetet te testimi, trajtimi dhe kufizimi i ekspozimit.

Ekspertët rekomandojnë të mos ndahen me të tjerët furçat e dhëmbëve apo brisqet, tatuazhet dhe piercing-et të kryhen vetëm në ambiente të licencuara dhe të përdoren masa mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale.

Gjetjet publikohen në një kohë kur po rritet shqetësimi për shtimin e rasteve të kancerit në moshë të re, veçanërisht para moshës 50 vjeç.

Studiuesit theksojnë se parandalimi i infeksioneve, vaksinimi, testimi dhe diagnostikimi i hershëm mund të luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e barrës globale të kancerit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume