Menjëherë pas vdekjes së këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis, kontrolle të shumta kanë nisur në Greqi në klinika dhe qendra të ndryshme private. Dhe mbrëmjen e së hënës, në Selanik, autoritetet vendosën mbylljen e një klinike private, ku u zbulua se funksiononte ilegalisht një repart onkologjik dhe kryheshin kimioterapi pa licencën përkatëse.

Kontrolli i Autoritetit Kombëtar të Transparencës tregoi se klinika kishte ngritur një repart të plotë onkologjik, me pajisje edhe për përgatitjen e barnave kimioterapeutike, megjithëse ky repart nuk përfshihej fare në licencën e saj.

Sipas hetimit, aty punonte një pneumolog i specializuar në onkologjinë e mushkërive, por pa kontratë të shkruar me klinikën. Që nga viti 2022, ai përshkruante barna kimioterapie për pacientët dhe më pas trajtimet kryheshin brenda repartit të paautorizuar.

Autoritetet konstatuan gjithashtu se klinika nuk kishte numrin e nevojshëm të infermierëve, i mungonin mjekë të disa specialiteteve të detyrueshme dhe nuk kishte në funksion as Njësinë e Kujdesit Intensiv, megjithëse kjo parashikohej nga licenca e saj.

Gjithashtu, u zbulua se pacientë që rezulton se ishin shtruar me diagnoza që nuk lidheshin me kancerin, gjatë qëndrimit në klinikë kishin marrë barna kimioterapie. Autoritetet po hetojnë nëse në këto raste janë dërguar të dhëna të pasakta në EOPYY, fondin publik grek të sigurimeve shëndetësore, për të marrë rimbursimin e shtrimeve.

Problemet në këtë klinikë nuk ishin të reja. Që në vitin 2025 ishte konstatuar mungesa e personelit. Në fillim të vitit 2026, asaj iu hoq certifikata e funksionimit të rregullt dhe ishte rekomanduar mbyllja përfundimtare. Megjithatë, ajo vazhdoi të punonte. Tani është vendosur heqja e licencës dhe mbyllja e klinikës, ndërsa dosja është dërguar edhe në Prokurori.

Rasti vjen vetëm pak javë pas vdekjes së Giorgos Mazonakis në një qendër private në Athinë, gjatë një procedure plazmafereze. Vdekja e këngëtarit nxori në pah boshllëqe të mëdha në kontrollin e sektorit privat të shëndetësisë dhe çoi në nisjen e kontrolleve të reja në të gjithë vendin.

Me sistemin e ri MedWatch, autoritetet kanë skanuar mijëra klinika, kabinete, qendra estetike dhe struktura të tjera private. Vetëm në fazën e parë, në Atikë, janë evidentuar 231 struktura të klasifikuara si “të kuqe”, pra me indikacione që kërkojnë kontroll të menjëhershëm, ndërsa 424 të tjera janë futur në kategorinë “e verdhë” dhe do të rikontrollohen. Kjo nuk do të thotë se të gjitha janë të paligjshme, por se kanë paraqitur elementë që duhen verifikuar në terren.

Mes rasteve që po kontrollohen ka klinika private, poliklinika, kabinete mjekësore, qendra estetike, spa, madje edhe biznese që reklamonin shërbime mjekësore pa pasur të drejtën për t’i kryer ato.

Çështja ka shkaktuar edhe përplasje të fortë politike me partitë opozitare që akuzojnë qeverinë se mekanizmat e kontrollit të klinikave private kanë qenë të pamjaftueshëm dhe se problemet janë lënë për vite pa mbikëqyrje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume