Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski në aktivitetin përmbyllës të projektit “Politikat rinore sipas nevojave të të rinjve”, në Manastir tha se të rinjtë duhet të dëgjohen dhe të përfshihen në krijimin e politikave.

Projekti është i orientuar drejt përforcimit të pjesëmarrjes së të rinjve dhe të organizatave të shoqërisë civile në krijimin e politikave dhe në proceset e vendimmarrjes në nivel lokal dhe kombëtar.

“Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja. Ata janë e tashmja e këtij shteti dhe duhet të kenë vendin e tyre në proceset ku merren vendime, të cilat drejtpërdrejt përcaktojnë jetën e tyre. Të rinjtë duhet të pyeten, por edhe më e rëndësishme – duhet të dëgjohen, e zëri i tyre të ketë lidhje të dukshme me ndryshimin konkret në komunitetin e tyre”, theksoi Vellkovski.

Në kuadër të projektit, nëntë komuna të rajonit të Pellagonisë, organizata të shoqërisë civile dhe të rinj krijuan Platformën Rajonale për të Rinj, si mekanizëm për identifikimin, analizimin dhe shndërrimin e nevojave të të rinjve në masa konkrete.

Përmes pesë sesioneve të mbajtura të Platformës Rajonale, janë miratuar 24 masa prioritare për të rinjtë, nga të cilat 13 veçmë janë zbatuar. Masat u referohen fushave me rëndësi të drejtpërdrejtë për të rinjtë, arsimin, sportin, transportin publik dhe mobilitetin, shëndetin mendor dhe fizik, kulturën, turizmin, mjedisin jetësor, vullnetarizmin dhe sipërmarrjen rinore.

“Rezultati më i rëndësishëm nuk është vetëm numri i masave të realizuara. Më e rëndësishmja është se është vendosur një process, në të cilin të rinjtë shprehin nevojat e tyre, nevojat e tyre verifikohen përmes analizave dhe fakteve, ndërkaq institucionet, vetëqeverisja lokale dhe sektori civil bashkërisht kërkojnë zgjidhje”, shtoi mes tjerash, ministri.

Vellkovski nënvizoi se përvoja nga rajoni i Pellagonisë tregon se iniciativat lokale mund të jenë kontribut i rëndësishëm për avancimin e politikave kombëtare rinore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume