Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur sot se, pas një bisede telefonike njëorëshe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, Serbia do të ketë çmim të ulët të gazit.
Vuçiq tha se gjatë bisedës me Putinin ka diskutuar edhe për problemet energjetike me të cilat po përballet Serbia, përfshirë marrëveshjen për gazin, aneksi i së cilës, sipas tij, skadon brenda pak ditësh.
“Biseduam, natyrisht, edhe për çështjen e problemeve energjetike me të cilat përballemi, pra para së gjithash, aneksi i marrëveshjes për gazin na skadon pas disa ditësh dhe jam i sigurt se që nga e hëna aneksi do të zgjatet dhe se do të vazhdojmë të kemi, do të thosha, çmim të mirë dhe të ulët të gazit. Dhe, që njerëzit ta kuptojnë, bëhet fjalë për rreth 318 euro për 1 mijë metra kub gaz. Sot, në TTF, në treg, çmimi është 868 euro për 1 mijë metra kub”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ai shtoi se e ka njoftuar presidentin rus se gjatë ditës së nesërme do të japë dorëheqje nga posti i presidentit.
Zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Serbi do të mbahen më 25 tetor. Vuçiqi shpërndau Kuvendin më 9 shtator dhe zyrtarisht caktoi 25 tetorin si datën e zgjedhjeve. Në këtë garë zgjedhore, Vuçiqi do të kandidojë për kryeministër.