Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me zëvendësministren për çështje të Bashkimit Evropian të Mbretërisë së Holandës, Heleen Bakker. Në fokus të bisedimeve ishin procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, zbatimi i reformave dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit bilateral.

Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për perspektivën evropiane të vendit dhe për kontributin në forcimin e sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe kapaciteteve administrative. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit përmes programit holandez për transformim shoqëror MATRA, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, si dhe të shkëmbimit të ekspertizës ndërmjet institucioneve.

Ministri nënvizoi se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, me kritere të qarta që vlerësojnë reformat dhe rezultatet konkrete.

Gjatë takimit, Sali prezantoi progresin në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe prioriteteve të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se integrimi gradual duhet të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset dhe të shërbejë si nxitës për përshpejtimin e reformave drejt anëtarësimit të plotë.

U diskutuan edhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në forcimin e institucioneve, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume