30 mijë dozat e para të vaksinave kundër gripit sezonal kanë arritur në vend, ndërsa vaksinimi pritet të nisë nga 16 deri më 25 tetor. Ministria e Shëndetësisë është duke koordinuar përgatitjet logjistike me qendrat e shëndetit publik, me synimin për të siguruar gjithsej 80 mijë doza vaksinash.
“Ishte e rëndësishme për ne që 30.000 vaksinat e para të mbërrinin në mënyrë që të mund të fillojmë menjëherë me grupet që janë më në rrezik. Më 15 nëntor do të kemi 26.000 të tjerat dhe ndërkohë do të bëjmë çmos për të siguruar pjesën tjetër, deri në 80.000 vaksina.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Ministri njoftoi se vetë do të vaksinohej për të inkurajuar qytetarët të regjistrohen për t’u vaksinuar.
“Vaksinimi në vend do të fillojë më herët se në disa vende fqinje, ku është planifikuar të fillojë në nëntor. Me arritjen e dozave të para, përparësi do t’u jepet personave nga grupet e rrezikut, të cilët do të përcaktohen sipas diagnozës dhe kritereve në qendrat e shëndetit publik.”, – theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Klekovski potencoi se regjistrimi për vaksinim duhet të bëhet përmes modulit në sistemin “Terminali Im”, në mënyrë që autoritetet të kenë informacion mbi numrin e përgjithshëm të të regjistruarve dhe gjatë vaksinimit.