Intervistë me drejtorin e Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
z. mr. Dimitar Bogeski
1. Sa materiale ka në dispozicion Arkivi, cilat janë periudhat dhe dokumentet më të
rëndësishme që ruhen dhe çfarë mund të veçoni?
Arkivi Shtetëror ka një trashëgimi arkivore jashtëzakonisht të pasur, me 8000 fonde, 14 km në
gjatësi material arkivor, i cili përfaqëson një burim të paçmuar për studimin e historisë politike,
shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Maqedonisë. Depot tona mbajnë dokumente nga periudha
të ndryshme historike, të cilat dëshmojnë për vazhdimësinë e institucioneve, proceseve historike
dhe jetën e popullsisë në këto rajone.
Veçanërisht të rëndësishme janë dorëshkrimet mesjetare, dokumentet osmane, ndër të cilat
veçohen fermanet, dokumentet që lidhen me lëvizjen revolucionare maqedonase, Kryengritjen e
Ilindenit, Luftën Nacionalçlirimtare, KAÇKM-në (ASNOM-in), si dhe dokumentet nga periudha
e krijimit dhe zhvillimit të shtetit modern maqedonas.
Arkivi e posedon dokumentin më të vjetër, Ungjillin e Shën Lukës nga shekulli i 12-të, i gjetur
në koleksionin e familjes Robevi nga Ohri, si dhe koleksionin "Kadillaku i Manastirit"
dokumente të cilët datojnë nga viti 1607 deri në vitin 1912.
Vlerë të veçantë kanë dokumentet për veteranët e arsimit, veprimtarër kulturor dhe
revolucionarët maqedonas, si dhe dokumentacioni arkivor nga periudha e pavarësisë së
Maqedonisë.
Çdo dokument arkivor ka vlerën e vet historike dhe dëshmuese. Pikërisht ky është thelbi i
aktivitetit tonë – të ruajmë dëshminë autentike të së kaluarës dhe ta bëjmë atë të disponueshme
për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

1. Sa janë të disponueshëm dokumentet e Arkivit për qytetarët dhe sa janë ata të
informuar për veprimtarinë e Arkivit?
Disponueshmëria e dokumenteve arkivore është një nga detyrat tona kryesore. Arkivi Shtetëror
është një institucion që u shërben qytetarëve, komunitetit shkencor dhe të gjithë atyre që kanë
interes të hulumtojnë ose të realizojnë një të drejtë të caktuar bazuar në dokumentacionin arkivor.

Qytetarët mund t’i shfrytëzojnë materialet arkivore në përputhje me dispozitat ligjore dhe
rregullat e përcaktuara për përdorimin e tyre. Tek ne vijnë historianë, studiues shkencorë,
studentë, gazetarë, por edhe qytetarë që hulumtojnë historinë familjare, çështje pronësore ose
kërkojnë dokumente të nevojshme për realizimin e të drejtave të tyre.
Unë mendoj se gjatë periudhës së kaluar kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt rritjes së
dukshmërisë së Arkivit Shtetëror. Përmes ekspozitave, publikimeve, promovimeve, paraqitjeve
në media dhe aktiviteteve në rrjetet sociale, përpiqemi ta sjellim pasurinë arkivore sa më afër
publikut të gjerë.
Qëllimi ynë është që Arkivi të njihet si një institucion i hapur, modern dhe i disponueshëm, në të
cilin çdo qytetar mund të gjejë një pjesë të historisë së vet dhe të historisë së përbashkët.

3. Digjitalizimi i Arkivit- si do të funksionojë?
Digjitalizimi është një nga prioritetet tona më të rëndësishme strategjike. Bëhet fjalë për një
proces kompleks, i cili nënkupton shumë më tepër sesa thjesht skanimin e dokumenteve
arkivore.
Qëllimi ynë është që gradualisht të ndërtojmë një sistem funksional për menaxhimin digjital të
trashëgimisë arkivore, i cili do të përfshijë digjitalizimin, përpunimin, përshkrimin, ruajtjen dhe
shfrytëzimin e dokumenteve arkivore.
Procesi fillon me përzgjedhjen dhe përgatitjen e materialit arkivor, pas së cilës vijon digjitalizimi
i tij me pajisje përkatëse. Më pas dokumentet përpunohen dhe lidhen me metadatat, pra
informacionin që mundëson kërkimin, identifikimin dhe shfrytëzimin e tyre.
Vëmendje të veçantë i kushtojmë krijimit të një arkivi digjital dhe të një depoje elektronike, me
ç’rast do të krijohen kushte për ruajtjen afatgjatë dhe të sigurtë të dokumenteve digjitale.
Tashmë jemi duke punuar në pilot-projektin për digjitalizim, në bashkëpunim me Republikën e
Sllovenisë. Në kuadër të këtij projekti, po zhvillojmë një zgjidhje softuerike që duhet të
mundësojë ruajtjen e organizuar, kërkimin dhe shfrytëzimin e dokumenteve arkivore të
digjitalizuara.
Për qytetarët dhe studiuesit, kjo do të nënkuptojë qasje më të shpejtë në informacionet arkivore,
kërkim më të lehtë dhe mundësinë që një pjesë e materialeve të digjitalizuara të jenë të
disponueshme edhe përmes internetit, në përputhje me dispozitat ligjore.

Digjitalizimi ka gjithashtu një funksion mbrojtës jashtëzakonisht të rëndësishëm. Me
shfrytëzimin i kopjeve digjitale do të zvogëlohet nevoja për prekjen dhe trajtimin e drejtpërdrejtë
të dokumenteve origjinale, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për materialet arkivore të
vjetra dhe të ndjeshme.
Megjithatë, digjitalizimi nuk nënkupton vetëm skanimin e dokumenteve. Ai përfshin edhe
përshkrimin e tyre të përshtatshëm, indeksimin, ruajtjen e sigurt dhe mbrojtjen afatgjatë.
Dokumentet origjinale do të vazhdojnë të ruhen sipas standardeve arkivore, ndërsa kopjet
digjitale do të mundësojnë disponueshmëri më të gjerë dhe do të zvogëlojnë nevojën për prekjen
e materialeve më të ndjeshme.
Vizioni ynë është një Arkiv Shtetëror modern, në të cilin veprimtaria tradicionale arkivore dhe
teknologjitë e reja do të funksionojnë si një sistem i vetëm.

4. A i ka Arkivi kapacitetet e nevojshme për realizimin e digjitalizimit?
Arkivi Shtetëror disponon kuadër profesional, përvojë shumëvjeçare institucionale dhe njohuri
në fushën e mbrojtjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të materialit arkivor. Kjo përbën një bazë të
rëndësishme për realizimin e procesit të digjitalizimit.
Megjithatë, kur flasim për një transformim të gjithanshëm digjital, duhet të kemi parasysh se
bëhet fjalë për një proces afatgjatë, i cili kërkon investime të vazhdueshme në infrastrukturën
teknike, zgjidhjet softuerike, pajisjet përkatëse dhe trajnimin e të punësuarve.
Veçanërisht të rëndësishme janë përforcimi i kapaciteteve njerëzore dhe zhvillimi i njohurive të
specializuara në fushën e arkivimit digjital, sigurisë së informacionit dhe ruajtjes afatgjatë të
dokumenteve elektronike.
Në këtë drejtim, rëndësi të madhe ka edhe bashkëpunimi ndërkombëtar, përmes të cilit mund të
shfrytëzojmë përvojat e institucioneve arkivore që tashmë kanë zhvilluar sisteme të avancuara
digjitale.
Qasja jonë është graduale, e planifikuar dhe e qëndrueshme. Qëllimi është të ndërtojmë një
sistem që do të jetë funksional në afat të gjatë dhe që do t’u përgjigjet nevojave të institucionit,
studiuesve dhe qytetarëve.

5. A nevojiten investime shtesë në veprimtarinë kërkimore-shkencore?

Sigurisht. Veprimtaria kërkimore-shkencore është e lidhur ngushtë me punën e Arkivit Shtetëror.
Dokumentet arkivore përbëjnë burimin themelor për kërkime shkencore dhe për thellimin e
njohurive mbi historinë maqedonase.

Unë mendoj se nevojiten investime të vazhdueshme në kërkim, përpunimin shkencor dhe
botimin e dokumenteve arkivore, veçanërisht të atyre që kanë rëndësi të jashtëzakonshme për
historinë tonë kombëtare dhe trashëgiminë kulturore.
Kjo nënkupton mbështetjen e projekteve kërkimore-shkencore, veprimtarisë botuese,
organizimin e takimeve dhe konferencave shkencore, si dhe bashkëpunimin me universitetet,
institutet dhe institucionet e tjera shkencore.
Vëmendje të veçantë meriton kërkimi i materialeve arkivore që ruhen në arkivat e huaja, pasi një
pjesë e konsiderueshme e burimeve për historinë maqedonase gjendet jashtë vendit tonë.
Detyra jonë është të bëjmë kërkime sistematike mbi këto burime, të sigurojmë kopje të tyre dhe
t’i vëmë në dispozicion të komunitetit shkencor.
Besoj se investimi në veprimtarinë kërkimore-shkencore është investim në dije, në historinë
shkencore dhe në ruajtjen e kujtesës kombëtare.

6. A ka dhe çfarë lloj bashkëpunimi ekziston me arkivat e vendeve të tjera, ku ruhen
materiale dhe dokumente me rëndësi për Maqedoninë?
Një nga segmentet e rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar të Arkivit Shtetëror është
çështja e suksesionit të materialit arkivor nga ish-Jugosllavia. Bëhet fjalë për një proces me
rëndësi të veçantë, pasi në institucionet arkivore të ish-shtetit të përbashkët ruhen dokumente të
shumta që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për historinë, shtetësinë dhe zhvillimin institucional të
Maqedonisë.
Baza juridike për këtë çështje është Marrëveshja për Çështjet e Suksesionit, përkatësisht Aneksi
D, i cili ka të bëjë me arkivat. Me këtë marrëveshje rregullohen çështjet që lidhen me ndarjen
dhe qasjen në arkivat shtetërore të ish-RSFJ-së, duke përfshirë edhe materialet arkivore që lidhen
me shtetet pasardhëse.
Për Maqedoninë, veçanërisht të rëndësishme janë dokumentet nga periudha e shtetit të
përbashkët jugosllav, të cilat kanë të bëjnë me proceset politike, ekonomike, shoqërore dhe
administrative, si dhe me zhvillimin e institucioneve maqedonase.

Interesi ynë është që, nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet kompetente dhe arkivat e
shteteve pasardhëse, të vazhdohet me identifikimin, hulumtimin dhe sigurimin e qasjes në
materialet arkivore që kanë të bëjnë me Maqedoninë. Veçanërisht e rëndësishme është mundësia
e sigurimit të kopjeve digjitale të dokumenteve, me ç’rast ato do të bëheshin të qasshme edhe për
punonjësit tanë shkencorë, studiuesit dhe qytetarët.
Duhet të kihet parasysh se sukcesioni është një proces kompleks dhe afatgjatë, i cili kërkon
koordinim ndërmjet disa shteteve dhe institucioneve, si dhe harmonizimin e çështjeve juridike,
profesionale dhe teknike. Paralelisht me këtë, Arkivi Shtetëror zhvillon bashkëpunimin dypalësh
me institucionet arkivore të rajonit dhe më gjerë, përmes shkëmbimit të informacioneve,
përvojave profesionale dhe realizimit të projekteve të përbashkëta.
Synimi ynë është që dokumentet që dëshmojnë historinë e Maqedonisë, pavarësisht se ku ruhen
fizikisht, të identifikohen, të hulumtohen dhe të jenë të qasshme për komunitetin shkencor
maqedonas dhe publikun e gjerë. Kjo është një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme për
ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë sonë historike.
7. Cilat janë planet për modernizimin e Arkivit Shtetëror?
Modernizimin e Arkivit Shtetëror e shoh si një proces gjithëpërfshirës, i cili përfshin
infrastrukturën, zhvillimin teknologjik, kapacitetet kadrovike dhe përmirësimin e shërbimeve për
qytetarët.
Një nga prioritetet tona më të rëndësishme është krijimi i kushteve bashkëkohore për ruajtjen dhe
mbrojtjen e materialit arkivor. Dokumentet arkivore kërkojnë kushte specifike sa i përket
temperaturës, lagështisë, mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë.
Në këtë drejtim, një synim afatgjatë është ndërtimi i një objekti modern arkivor, me depo të
përshtatshme, hapësira për punë kërkimore-shkencore dhe një qendër për digjitalizim.
Paralelisht, po punojmë në konceptin e transformimit digjital të institucionit, përmes të cilit
synojmë të krijojmë një sistem të integruar për menaxhimin e dokumenteve arkivore dhe ruajtjen
e tyre digjitale afatgjatë.
Vëmendje të veçantë i kushtojmë edhe avancimit të punës profesionale, zbatimit të standardeve
ndërkombëtare arkivore, si dhe aftësimit dhe përsosjes së vazhdueshme profesionale të
punonjësve.

Modernizimi nënkupton edhe hapje më të madhe ndaj publikut. Synojmë që qytetarët të kenë
qasje më të lehtë në informacione, studiuesit të kenë kushte më të mira pune, ndërsa brezat e rinj
ta njohin Arkivin si një vend për mësim dhe hulumtim.
Vizioni im është që Arkivi Shtetëror të zhvillohet si një institucion modern, i pajisur me
teknologji bashkëkohore dhe i lidhur me institucionet ndërkombëtare, i cili do t'u përgjigjet
sfidave të epokës digjitale, duke vazhduar njëkohësisht ta ruajë me përkushtim trashëgiminë tonë
historike dhe kulturore.

8. Si e shënuat përvjetorin e themelimit të Arkivit Shtetëror?
Këtë vit, Arkivi Shtetëror shënon një jubile të rëndësishëm 75 – vjetorin e themelimit të tij në
vitin 1951. Për ne, kjo është një mundësi për të kujtuar rrugëtimin zhvillimor të institucionit, për
t'u shprehur mirënjohje brezave të arkivistëve që e kanë ndërtuar Arkivin dhe për t'i prezantuar
rezultatet e punës sonë para publikut.
Jubileun e shënuam nën moton „Arkivi Shtetëror – shtyllë e qenies maqedonase“, përmes një
sërë aktivitetesh solemne, kulturore dhe shkencore.
Një vend të veçantë në shënimin e jubileut zuri akademia solemne, gjatë së cilës theksuam
rëndësinë e Arkivit si institucion që tashmë prej shtatë dekadash e gjysmë ruan kujtesën
dokumentare të shtetit dhe shoqërisë maqedonase.
Organizuam gjithashtu një takim me kolegët tanë të pensionuar, të cilëve u shprehëm mirënjohje
për punën e tyre shumëvjeçare dhe kontributin në zhvillimin e veprimtarisë arkivore. Në kuadër
të shënimit të jubileut, ndamë edhe pllaka mirënjohjeje për institucionet dhe kompanitë që ndër
vite kanë mbështetur punën e Arkivit Shtetëror.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume