Aksion policor në gjithë Maqedoninë e Veriut: 47 bastisje, 16 të arrestuar, sekuestrohen drogë dhe armë
Ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar një aksion të përforcuar policor në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, me fokus në zbulimin dhe parandalimin e veprave penale, veçanërisht trafikun e paligjshëm të drogës dhe posedimin ilegal të armëve.
Sipas njoftimit të MPB-së, aksioni është realizuar gjatë datave 16 dhe 17 tetor 2026, në koordinim me sektorët e punëve të brendshme dhe Njësinë për Qentë Zyrtarë.
Gjatë aksionit janë kryer gjithsej 47 bastisje në shtëpi dhe ambiente të tjera ndihmëse në disa lokacione në vend.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge dhe armësh. Policia ka gjetur dhe konfiskuar marihuanë, disa paketime me kokainë, përfshirë edhe paketime të vogla të përgatitura për shitje të mëtejshme. Po ashtu, janë sekuestruar pistoleta, pushkë, municion i llojeve të ndryshme, para dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me vepra penale.
Si rezultat i aksionit, 16 persona janë privuar nga liria, ndërsa janë ngritur 11 kallëzime penale për veprat që lidhen me prodhimin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, si dhe për prodhimin, posedimin dhe tregtimin e paligjshëm të armëve ose lëndëve shpërthyese.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se aktivitetet policore do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, me qëllim zbulimin dhe sanksionimin e të gjitha formave të kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.