“Dëshirojmë ta përgëzojmë edhe një herë Real Madridin që vazhdon të bëjë histori, duke dëshmuar se 100 për qind e komunitetit mjekësor në botë e kishte gabim”. Me këtë postim ironik në rrjetet sociale, Atletico Madrid e riktheu në qendër të vëmendjes polemikën rreth Fede Valverdes.
Real Madridi kishte njoftuar se mesfushori uruguaian kishte pësuar një ndrydhje të shkallës së tretë në kyçin e këmbës, pas një ndërhyrjeje të ashpër nga Kang-in Lee në derbi.
Klubi kërkoi përjashtimin e menjëhershëm të lojtarit për atë ndërhyrje. Megjithatë, Valverde u rikthye në listën e lojtarëve të grumbulluar vetëm 17 ditë pas atij njoftimi zyrtar.
Atletico shfrytëzoi rastin për ta përqeshur “mrekullinë e Valverdes”.
Tri javë më vonë, jehona e derbit vazhdon të dëgjohet dhe klubi nuk humbi kohë për të nxitur polemika rreth një incidenti që shkaktoi shumë reagime, si gjatë ndeshjes, ashtu edhe pas publikimit të raportit mjekësor.
Real Madridi e mbajti të fshehtë rikthimin e Valverdes për aq kohë sa mundi, deri në publikimin e listës së lojtarëve për ndeshjen e së shtunës kundër Villarrealit.
Kapiteni, i cili u lëndua në derbin kundër Atleticos, e përfundoi stërvitjen e fundit pa asnjë problem. Kjo e bëri atë të gatshëm për trajnerin Jose Mourinho në ndeshjen e parë pas pushimit ndërkombëtar, 17 ditë pas publikimit të raportit mjekësor.
Lëndimi daton nga derbi i 20 shtatorit, të cilin Real Madridi e humbi 2-1 në “Metropolitano”.
Uruguaiani pësoi një ndërhyrje të ashpër nga Kang-in Lee në pjesën e parë.
Ky incident, së bashku me ndërhyrjen e Cristian Romeros ndaj Jude Bellinghamit, nxiti kritika të ashpra nga drejtuesit e klubit ndaj gjykimit të ndeshjes. Valverde e përfundoi takimin pavarësisht goditjes, ndërsa shqetësimet u shfaqën vetëm pas vërshëllimës së fundit, kur në vendin e lëndimit u vu re një ënjtje e dukshme.
Pasuan dy komunikata. E para, e publikuar menjëherë pas derbit, raportonte për një “lëndim të rëndë në kyçin e majtë të këmbës”. Dy ditë më vonë, më 22 shtator, ekzaminimet e mëtejshme sollën diagnozën përfundimtare: “ndrydhje e shkallës së tretë në kyçin e majtë të këmbës”, ndërsa periudha e rikuperimit mbeti “në varësi të vlerësimeve të vazhdueshme”.
Tani, pas pushimit ndërkombëtar, Valverde është rikuperuar dhe është në dispozicion të Mourinhos. Kjo i dha Atletico Madridit mundësinë që ta “përgëzonte” Real Madridin për rikuperimin e tij të shpejtë, duke rindezur polemikën rreth derbit të zhvilluar tri javë më parë.