Dekretimi i ligjit për Specialen | OVL s’i përjashton protestat: Shiroka-Pula me gjasë po frikësohet
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka paralajmëruar se protestat do të mbeten një nga format e reagimit ndaj Gjykatës Speciale, edhe pse organizata do të vazhdojë fillimisht përpjekjet përmes rrugëve institucionale.

Në ‘Kosova Today’ në Klan Kosova, duke komentuar deklaratat e kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, Syla i ka cilësuar ato si “qesharake”, duke shtuar se kjo gjykatë s’mund të jetë mbi Kosovën.

“Ajo ka me na tregu neve, në cilin vend mundet me nejtë një i paraburgosur deri në gjashtë vjet pa marrë vendimin përfundimtar, në cilin vend të botës gardiani mundet me u bo prokuror. Kjo gjykatë nuk mund të jetë mbi shtetin tonë”, ka deklaruar Syla.

Ai ka thënë se OVL do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje institucionale, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e protestave.

“Ne gjithmonë e zgjedhim rrugën e parë, institucionale, por do t’ia tregojmë vendin edhe në forma tjera zonjës Trendafilova e secilit që provon me na shkelë sakrificën tonë. Ne do të jemi të gatshëm edhe me u ballafaqu me protesta, por sigurisht se i gëzohemi faktit për grupin punues. Protestat do të jenë gjithmonë evidente”, ka thënë ai.

Syla ka folur edhe për miratimin e Ligjit për Specialen, për çka e vuri në pikëpyetje pse presidentja e re, Justina Shiroka-Pula nuk e ka dekretuar akoma.

Edhe për kryeministrin Albin Kurti, ai pati disa fjalë, transmeton Klankosova.tv

“Zonja Shiroka ka ardhë aty për me dekretu këtë ligj. Pse nuk e ka bërë deri tash, me gjasë frikësohet nga diçka. Ende nuk e kemi parë seriozitetin e zotit Kurti, edhe pse e kanë dhënë mbështetjen kur i kanë ngritë duart në Parlament”, ka deklaruar Syla. /Klankosova.tv

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume