Dimitrieska-Koçoska në seancën plenare të takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore: Në kushtet e pasigurisë globale, disiplina fiskale dhe reformat strukturore janë thelbësore për rritje të qëndrueshme ekonomike
16 tetor 2026, Bangkok – Disiplina fiskale, menaxhimi efikas i shpenzimeve publike dhe përshpejtimi i reformave strukturore janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike në kushtet e pasigurisë së madhe globale.
Ekonomia globale vazhdon të tregojë qëndrueshmëri ndaj goditjeve, por goditjet e përsëritura ekonomike po pakësojnë rezervat e disponueshme fiskale dhe energjetike, ndërkohë që presionet inflacioniste vijojnë më tej të jenë sfidë për një numër të madh vendesh. Në kushte të tilla, ndjekja e kujdesshme e politikave makroekonomike ka rëndësi thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të inflacionit.
Këto ishin mesazhet kryesore të seancës plenare të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, në të cilat mori pjesë ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Në seancën plenare përmbyllëse të takimeve vjetore në Bangkok mbajti fjalim edhe drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva, kryetari i Grupit të Bankës Botërore, Axhaj Banga dhe kryetari i takimeve vjetore dhe guvernator i Bankës Qendrore të Paraguait, Karlos Karvalo Spalding.
“Në kushtet e pasigurisë globale dhe goditjeve të përsëritura ekonomike, menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike është baza për ekonomi stabile. Fokusi ynë është konsolidimi fiskal, shfrytëzimi më efikas i mjeteve publike dhe zbatimi i reformave strukturore që do të rrisin produktivitetin, do të stimulojnë investimet dhe do të përforcojnë konkurrencën e ekonomisë vendase.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe perspektiva më të mira për qytetarët dhe kompanitë”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Në kuadër të takimeve vjetore, të cilat u mbajtën javën e kaluar në Bangkok, ministrja Dimitrieska-Koçoska zhvilloi takime me nënkryetaren rajonale të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonela Basani, nënkryetarin e IFC-së për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet, Alfonso Garcia Mora, si dhe drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për grupin e vendeve anëtare ku bën pjesë edhe vendi ynë, Juxhin Rugenat. Gjatë takimeve u theksua rëndësia e përshpejtimit të reformave, realizimit të investimeve strategjike dhe mbështetjes së sektorit privat, si një nga nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike.
Ministrja po ashtu pati takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, drejtorin e FMN-së për Evropën, Mateush Shçurek, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Jerun Klik dhe zëvendësdrejtorin ekzekutiv të FMN-së, Marniks van Raj. Në fokus të takimeve ishte konsolidimi fiskal afatmesëm, ruajtja e disiplinës fiskale dhe zbatimi i reformave për të përforcuar qëndrueshmërinë e financave publike, duke mbështetur njëkohësisht investimet dhe rritjen ekonomike.
Pjesëmarrja në takimet vjetore mundëson shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave me përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe politikëbërësve ekonomikë, si dhe vlerësimin e trendeve ekonomike globale dhe ndikimin e tyre në ekonomitë nacionale.
Mesazhet e përcjella nga takimet konfirmojnë rëndësinë e politikave ekonomike të qëndrueshme dhe të përgjegjshme, financave publike të qëndrueshme dhe reformave të vazhdueshme si bazë për stabilitet afatgjatë, konkurrueshmëri dhe rritje ekonomike.