1 tetor 2026, Shkup – Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, e themeluar 20 vjet më parë si pjesë e një reforme të rëndësishme në administratën tatimore, sot ka rol të rëndësishëm në sistemin tatimor të vendit. Tatimpaguesit e mëdhenj marrin pjesë me mbi 40% në të ardhurat tatimore të realizuara, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në fjalimin e saj të sotëm në ngjarjen me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, në suaza të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Siç theksoi ministrja, themelimi i drejtorisë dy dekada më parë përbënte reformë të rëndësishme në kuadër të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, e cila solli përfitime të konsiderueshme si për institucionin, ashtu edhe, në veçanti, për kompanitë që shfrytëzojnë shërbimet e saj.

Qasja e specializuar ndaj tatimpaguesve të mëdhenj mundëson komunikim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me kompanitë, informim më të thelluar mbi punën e tyre, shkëmbim në kohë të informacioneve, si dhe administrim më efikas të detyrimeve tatimore.

“Kompanitë që përfshihen në kuadër të kësaj drejtorie janë ndër bartësit më të rëndësishëm të aktivitetit ekonomik në vend – kompani që investojnë, krijojnë vende pune dhe vlerë të shtuar, si dhe japin kontribut të konsiderueshëm në të ardhurat e buxhetit”, theksoi ministrja.

Ministrja theksoi se mënyra se si funksionon drejtoria është e rëndësishme jo vetëm për Drejtorinë e të Ardhurave Publike, por edhe për të gjithë ekonominë. Nga njëra anë, detyrë e saj është të sigurojë arkëtim efikas dhe në kohë të të ardhurave publike dhe zbatim konsistent të rregullave tatimore, kurse nga ana tjetër, është po aq e rëndësishme të sigurojë marrëdhënie profesionale, komunikim të qartë dhe mjedis afarist të parashikueshëm për kompanitë.

“Sistemi tatimor i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm është parakusht i rëndësishëm për kompanitë gjatë vendimmarrjes afatgjate për investime, punësime të reja, zgjerim të prodhimit dhe zhvillim të mëtejshëm të punës së tyre. Krijimi i kushteve të favorshme për realizimin e investimeve private është me rëndësi të veçantë për arritjen e normave më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike”, theksoi ministrja gjatë fjalimit të saj.

Në shënimin e kësaj dite, u theksua gjithashtu se jubileu 20-vjeçar është mundësi për të parë rezultatet e arritura, por edhe për të vendosur udhëzime për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit tatimor. Kushtet në të cilat punojnë kompanitë ndryshojnë vazhdimisht, veçanërisht në kushte të zhvillimit të shpejtë teknologjik, prandaj institucionet duhet t’i monitorojnë këto ndryshime dhe të ofrojnë shërbime moderne dhe efikase.

Në këtë drejtim, ministrja veçoi si hap të rëndësishëm projektin “e-faturë”, zbatimi i të cilit ka filluar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe që përbën komponent të rëndësishëm të transformimit digjital të financave publike.

“Projekti do të kontribuojë në thjeshtimin dhe përshpejtimin e proceseve, në uljen e barrës administrative, si dhe në rritjen e sigurisë, vëzhgimit dhe efikasitetit në punë“, theksoi ministrja.

Ajo theksoi se për Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike veçanërisht e rëndësishme është parashikueshmëria e politikës tatimore dhe krijimi i mjedisit të qëndrueshëm afarist. Gjithashtu, ajo iu referua edhe mjeteve të siguruara nga Banka Hungareze për Eksport dhe Import, të cilat po kanalizohen në ekonominë maqedonase me kushte të favorshme dhe kanë nxitur që kompanitë të hyjnë në një cikël të rëndësishëm investimesh, me vlerë prej rreth 300 milionë eurosh.

“Ministria e Financave vijon edhe me përmirësimin e rregullativës tatimore dhe harmonizimin e saj me standardet tatimore ndërkombëtare dhe evropiane. Në këtë drejtim është edhe miratimi i Ligjit të Tatimit Minimal Global mbi Fitimin, si hap i rëndësishëm në harmonizimin e legjislacionit vendor tatimor me rregullat ndërkombëtar bashkëkohore. Ministria e Financave po punon edhe në ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Procedurës Tatimore, në drejtim të vendosjes së procedurës ankimore si mjet juridik kundër çdo akti administrativ”, tha ministrja dhe shtoi se modernizimi i sistemit tatimor nuk do të thotë rritje e barrës tatimore, por krijim i institucioneve më efikase dhe më bashkëkohore që do të jenë në funksion të qytetarëve dhe të biznesit.

“Megjithatë, vlerësoj se mesazhi më i rëndësishëm që dëshiroj të theksoj në këtë ngjarje dhe para jush është se modernizimi i sistemit tatimor nuk do të thotë rritje e barrës tatimore. Mbetemi të përkushtuar në konceptin e tatimit të sheshtë, i cili siguron parashikueshmëri për kompanitë dhe krijon bazë stabile për planifikimin e investimeve dhe zhvillimin. Mbetemi të përkushtuar në krijimin e institucioneve, të cilët do të jenë në funksion të qytetarëve dhe biznesit”, tha ministrja Dimitreiska-Koçoska.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume