Dubai duket se po përgatit një tjetër projekt që pritet të tërheqë vëmendjen e turistëve nga e gjithë bota. Qyteti i njohur për arkitekturën ekstravagante dhe investimet luksoze synon të krijojë një shëtitore të veçantë, të veshur me ar 24-karatësh, në zonën e njohur si Gold District. Projekti synon ta kthejë këtë hapësirë në një atraksion unik, që sipas planeve do të jetë i pari dhe më i gjati i këtij lloji në botë. Hapja pritet të realizohet brenda muajve të ardhshëm, përpara përfundimit të vitit 2026, sipas deklaratave të Rashid Al Harmoodi, drejtues i lartë komercial i zonës.

E vendosur në një prej qendrave më të njohura të tregtisë së arit dhe bizhuterive, shëtitorja pritet të ndërthurë përvojën turistike me identitetin tregtar të zonës, duke u ofruar vizitorëve një tjetër arsye për ta eksploruar qytetin. Nisma vjen në një moment kur Gold District po përjeton rritje të aktivitetit tregtar. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë vitit 2026 numri i zyrave të reja të tregtimit me shumicë të arit është rritur me 20%, ndërsa bizneset që operojnë me bizhuteri, gurë të çmuar dhe ora luksoze kanë shënuar një rritje prej 15%.

Këto zhvillime tregojnë rëndësinë që zona vazhdon të ketë në tregun ndërkombëtar të metaleve të çmuara dhe produkteve luksoze. Vitet e fundit, Dubai ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare përmes projekteve ambicioze, nga ndërtesa ikonike si Burj Khalifa deri te ishujt artificialë dhe komplekset turistike luksoze.

Shëtitorja e planifikuar me ar pritet t’i shtohet kësaj liste atraksionesh, duke synuar të kombinojë shkëlqimin e arkitekturës me traditën e gjatë të qytetit në tregtinë e arit. Nëse realizohet sipas planit, projekti mund të shndërrohet në një nga pikat më të fotografuara të zonës dhe të forcojë më tej reputacionin e Dubait si një destinacion ku luksi dhe përvojat e pazakonta zënë vend qendror.