06.10.2026, Koçan: Shkolla e mesme komunale “Gosho Vikentiev” në Koçani është furnizuar me një
klasë të re, të dhuruar nga EVN Maqedoni, e dedikuar për përvetësimin e njohurive dhe aftësive të
lidhura me proceset e punës në sektorin elektroenergjetik. Nxënësit do të kenë mundësi të punojnë me
pajisje, materiale dhe vegla që përdoren në punën e përditshme të elektromontuesve të
Elektrodistribuimit, duke përfshirë edhe pajisje për tension të ulët dhe të mesëm. Klasa është e pajisur me
mjete për siguri dhe shëndet në punë, me qëllim që nxënësit që gjatë arsimimit të njihen me standardet
për punë të sigurt.
“Investimi në arsimin praktik është investim në të ardhmen e sektorit energjetik. Me këtë klasë duam t’u
mundësojmë nxënësve që gjatë arsimimit të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me pajisjet dhe materialet që
janë pjesë e punës sonë të përditshme, por edhe t’i njohim me standardet e larta për punë të sigurt dhe të
përgjegjshme. Në këtë mënyrë krijojmë një bazë më të mirë për përgatitjen e tyre profesionale dhe për
kuadrot që do ta ndërtojnë këtë sektor në të ardhmen”, deklaroi z. Matias Shaibelrajter, Menaxher i
Elektrodistribuimit.
Më shumë se një e treta e nxënësve të drejtimit elektroenergjetik në shkollë, përkatësisht 19 nga gjithsej
54 nxënës nga viti i parë deri në vitin e katërt, realizojnë trajnim praktik në kompani. Klasa e re do t’u
mundësojë përgatitje shtesë praktike, ndërsa do të jetë në dispozicion edhe për gjeneratat e ardhshme të
nxënësve të këtij drejtimi.
“Çdo nxënës që realizon mësimin praktik ka mentorin e tij dhe ndiqet në mënyrë të vazhdueshme gjatë
procesit arsimor. Përmes punës me kolegët tanë, nxënësit njihen me mjedisin e punës, mënyrën e punës
dhe kulturën e kompanisë”, deklaroi z. Fisnik Oseku, Udhëheqës i Burimeve Njerëzore në EVN
Maqedoni.
Për nxënësit që do të shfaqin interes për punë në kompani dhe do të dallohen me qasje serioze dhe të
përgjegjshme, disiplinë dhe proaktivitet, pas përfundimit të arsimit ekziston mundësia për punësim në
kompaninë bijë, Elektrodistribuimi.

“Jemi mirënjohës ndaj EVN Maqedoni për mbështetjen dhe për krijimin e kushteve më të mira për
arsimimin dhe përgatitjen profesionale të nxënësve tanë. Me klasën e re praktike, nxënësit tanë marrin
kushte më të mira për përvetësimin e njohurive praktike dhe njohjen me pajisjet dhe proceset e punës në
sektorin energjetik”, tha drejtori i SHMK “Gosho Vikentiev”, z. Vlado Simeonov.
Në kuadër të projektit “Të mësuarit përmes punës”, EVN Maqedoni bashkëpunon me 15 shkolla të
mesme elektroteknike në mbarë vendin, me ç’rast rreth 250 nxënës realizojnë mësim praktik dhe të
mësuarit përmes punës në Qendrat Energjetike të Konsumatorëve të Elektrodistribuimit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume