Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar ka dalë me një reagim lidhur me protestat e studentëve teksa ka dënuar aktet e dhunës, vandalizmit dhe shkatërrimit të pronës publike e private. Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar më reagim ka shprehur solidaritetin me sipërmarrësit, punonjësit dhe qytetarët e prekur.

“E drejta për të protestuar është e shenjtë në një shoqëri demokratike, por asnjë kauzë politike apo pakënaqësi qytetare nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin. Protesta është shprehje e lirisë, ndërsa vandalizmi është cenim i rendit demokratik, i sigurisë dhe i të drejtave të qytetarëve”, thuhet në reagim.

Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar gjithashtu thekson se sulmet ndaj bizneseve nuk dëmtojnë vetëm pronën e sipërmarrësve. Sipas tyre ato rrezikojnë vendet e punës, mirëqenien e familjeve, marrëdhëniet ekonomike dhe besimin e investitorëve.

“Shkatërrimi i pronës publike është po ashtu shkatërrim i pasurisë së përbashkët, për të cilën paguajnë të gjithë qytetarët.

Si një organizim që angazhohet për bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, rajon dhe diasporë, Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar e konsideron sigurinë e sipërmarrjes dhe mbrojtjen e investimeve si çështje me rëndësi kombëtare.

Shqipëria ka nevojë për investime të reja, zhvillim ekonomik, vende pune dhe rikthim të kapitalit e përvojës së diasporës. Pamjet e dhunës dhe të shkatërrimit dëmtojnë imazhin e vendit, krijojnë pasiguri dhe cenojnë besimin e atyre që synojnë të investojnë e të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Asnjë përplasje politike nuk duhet të zhvillohet në kurriz të sipërmarrjes, të punonjësve dhe të ekonomisë kombëtare”, thuhet në njoftim.

Forumi u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e pronës dhe vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik. Në reagim theksohet se aktet e dhunës duhet të hetohen me paanshmëri dhe përgjegjësit të përballen me ligjin, duke respektuar plotësisht të drejtat e protestuesve paqësorë dhe parimin e proporcionalitetit në veprimet e autoriteteve.

“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje forcave politike dhe organizatorëve të protestave të tregojnë përgjegjësi publike, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të distancohen qartë e pa ekuivok nga çdo formë dhune dhe vandalizmi.

Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar beson se zhvillimi, stabiliteti institucional, respektimi i pronës dhe sundimi i ligjit janë themelet mbi të cilat ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme dhe një hapësirë ekonomike shqiptare më e bashkuar.

Shqipëria nuk ndërtohet duke e shkatërruar! Protesta është e drejtë demokratike. Dhuna dhe vandalizmi janë të papranueshëm. Siguria e qytetarëve, mbrojtja e pronës dhe liria e sipërmarrjes janë interesa që qëndrojnë mbi çdo përplasje politike”, thuhet në përfundim të reagimit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume